Administrata e presidentit amerikan Donald Trump vendosi sanksione ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN) të premten, vetëm pak orë pasi një ish-gjyqtare e saj fitoi Çmimin Nobel për Paqen. Vendimi rrezikon të thellojë përplasjen diplomatike të Uashingtonit me aleatët evropianë.
Zëvendësprokurorja e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Nazhat Shameem Khan, dënoi sanksionet, duke deklaruar se ato nuk do të ndalin punën e institucionit.
Administrata Trump ka mbajtur prej kohësh një qëndrim armiqësor ndaj kësaj gjykate dhe më parë ka vendosur sanksione ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të saj. Masa e së premtes shkon më tej, pasi mund të prekë edhe kompanitë që ofrojnë shërbime për vetë institucionin.
“Presidenti Trump nuk do ta lejojë kurrë Gjykatën Penale Ndërkombëtare të ndjekë penalisht amerikanët”, deklaroi sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në një reagim të shqyrtuar nga Reuters përpara njoftimit zyrtar.
“Pikërisht për këtë arsye, sot Shtetet e Bashkuara po vendosin sanksione ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Ne do të ndalojmë transaksionet me këtë gjykatë të dalë jashtë kontrollit, duke i ndërprerë burimet financiare dhe duke paralizuar aftësinë e saj për të funksionuar”, shtoi ai.
Zëvendësprokurorja Khan i tha Reuters se sanksionet “duhet të dënohen”.
“Sanksionet synojnë të minojnë shtetin e së drejtës në nivel ndërkombëtar dhe punën që po kryen një institucion gjyqësor i pavarur”, deklaroi Khan. “Puna jonë do të vijojë në të gjitha çështjet që trajtojmë, në hetimet dhe ndjekjet tona penale”.
Uashingtoni ka shprehur prej kohësh zemërim për urdhër-arrestet e lëshuara nga GJPN-ja ndaj zyrtarëve izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu. Një tjetër burim përplasjesh ka qenë hetimi i mëparshëm i gjykatës për veprimet e ushtarëve amerikanë në Afganistan, të cilin institucioni e ka mbyllur tashmë.
E themeluar në vitin 2002 për të ndjekur penalisht krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin, Gjykata Penale Ndërkombëtare ka 125 shtete anëtare. Mes tyre janë të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe të gjithë anëtarët e NATO-s, me përjashtim të Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë.
Gjykata ka gëzuar mbështetje të fortë publike nga shtetet anëtare, përfshirë aleatë të rëndësishëm të SHBA-së. Ajo e ka selinë në Holandë, vend anëtar i BE-së dhe NATO-s.











