Laert Haxhiu, i akuzuar për 14 vepra të rënda penale si drejtues i një grupi kriminal, do të gjykohet për krimet që dyshohet se ka kryer dhe sot dosja e përgatitur nga SPAK, ka marrë dritën jeshile nga Gjykata e Posaçme.
Gjyqtarja Flora Hajredinaj, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve vendosi të dërgojë për procedimin penal të vitit 2023, të SPAK në ngarkim të të pandehurve Laert Haxhiu, Artan (Marjus) Tafani dhe Kristi Bixheku.
Haxhiu, si drejtues i grupit kriuminal dhe dy anëtarët, shokët e tij Artan (Marjus) Tafani dhe Kristi Bixheku akuzohen për disa vrasje, vendosje eksplozivi – mes tyre edhe ajo në lokalin e Noizyt – prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të zjarrit, etj.
Ngjarja bëri bujë tre vite më parë, kur pas një konflikti mes dy reperëve Rigels Rajku dhe Kleviol Ahmeti, ky i fundit i kërkoi mikut të tij Laert Haxhiu që të vendoste tritol në butikun e Noizyt në Durrës, sepse ai e kishte rrahur.
Lënda plasëse shkatërroi pjesën ballore të butikut të njohur “Illyrian” në qytetin bregdetar dhe rasti u bë shumë mediatik, për shkak se në rrjetet sociale nisi një luftë e ashpër mes Kleviol Ahmetit që njihet me pseudonimin Cllevio Serbiano dhe Rigels Rajkut, apo Noizy.
Dy vite më pas, ngjarja është dokumentuar si episod kriminal në dosjen e SPAK dhe organi i akuzës i është dërguar me kërkesë Gjykatës së Posaçme, për dënimin e personave përgjegjës, në grupin e Laert Haxhiut.
“Shkatërrim i pronës me eksploziv”, në formën e veçantë të bashkëpunimit “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 08.06.2022, në Durrës, në dëm të shtetasve Bashkim Rajku e Rigels Rajku”, thotë akuza.










