Aksidentet e rënda si ai në Sarandë, në të cilin humbën jetën 2 motrat Dhimaku, pasi makina e tyre u përplas nga një i ri i dehur në timon, rikthyen ankthin mbi atë se çfarë ndodh në rrugët e vendit, sidomos gjatë sezonit turistik. Por, statistikat ofrojnë një panoramë më pozitive. Pas rekordit të zi në vitin 2015, me 270 të vdekur, shifrat kanë parë një ecuri në ulje të viktimave, me 175 persona që humbën jetën vitin e kaluar.
Gjatë muajit korrik 2025 u regjistruan 131 aksidente, në të cilat humbën jetën dhe u plagosën rëndë 194 persona, pjesa më e madhe e të cilëve janë burra. Edhe pse në dukje shifra të lartë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të përpunuara të INSTAT, ka më pak aksidente dhe pasoja. Në korrik 2024 u regjistruan 146 aksidente, 16% më shumë se korriku 2025, me 191 persona, të vdekur dhe të plagosur. INSTAT, në të dhënat e saj, nuk e përcakton numrin e saktë të të vdekurve apo të plagosurve.
AKSIDENTET KORRIK 2025-2024
KORRIK 2025 KORRIK 2024
131 aksidente 146 aksidente
194 viktima/plagosur 191 viktima/plagosur
Situata me numër aksidentesh në rënie paraqitet edhe për periudhën e 7 muajve të parë të këtij viti. Nga janari në korrik 2025 ndodhën 767 përplasje, me 1077 viktima dhe të plagosur, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar u regjistruan 16% më shumë, 913 aksidente me 1242 viktima dhe të plagosur.
AKSIDENTET JANAR-KORRIK 2025-2024
JANAR-KORRIK 2025 JANAR-KORRIK 2024
767 aksidente 913 aksidente
1077 viktima/plagosur 1242 viktima/plagosur
Nëse do të bëjmë një krahasim shifrash të 5 viteve të fundit vetëm për muajin korrik, gjithmonë sipas të dhënave të përpunuara nga INSTAT, shohim që aksidentet kanë ulje dhe ngritje. Në korrik 2021 aksidentet janë thuajsë në të njejtin nivel me korrikun e këtij viti. Kurba duket relativisht në ulje në korrik 2022 dhe 2023, dhe një tendencë në rritje në korrik 2023 dhe 2024.
Shtimi i aksidenteve në korrik në këto 2 vite rritet edhe me bumin turistik që ndodhi në vitet e fundit, rrjedhimisht me numër shumë më të lartë të makinave në qarkullim, probabilitet për rritje të aksidenteve.
Ditët e javës me numrin më të lartë të aksidenteve në korrik 2025 ishin e hëna dhe e marta, për t’u rikthyer me numër më të lartë në fundjavë, gjatë të dielave. Pjesa më e madhe e aksidenteve ndodhën, mes orës 08:00 deri në 12:00 në mesditë, ndjekur nga pasditja 14:00 me 17:00 dhe në darkë, në intervalin nga ora 19:00 deri në mesnatë.
Shifrat zyrtare të muajit gusht akoma nuk janë përpunuar nga institucionet. Bazuar nga raportimet e policisë, Report Tv konstatoi se nga 1 deri më 28 gusht 2025, në të gjithë vendin humbën jetën 13 persona.
VIKTIMAT GUSHT 2025 SIPAS QARQEVE
Fier 3 viktima
Vlorë 3 viktima
Korçë 2 viktima
Shkodër 1 viktimë
Durrës 1 viktimë
Berat 1 viktimë
Tiranë 1 viktimë
Gjirokastër 1 viktimë
Totali 13 viktima
E njëjta periudhë e një viti më parë, gusht 2024, sipas të dhënave të INSTAT, regjistroi 173 aksidente, me 236 të plagosur dhe 16 të vdekur.