Një peshkatar në lumin Misisipi në Minesota ka ndihmuar në zgjidhjen e një rasti të humbjes së një personi që daton pothuajse 60 vjet më parë, pas gjetjes së një makine të zhytur në ujë.
Brody Loch, peshkatari që bëri zbulimin, tregoi për mediat lokale WCCO se e pa makinën, një Buick Electra katërdyer metalik blu nga vitet 1960, duke përdorur një pajisje sonar gjatë fundjavës së 9 gushtit dhe menjëherë njoftoi autoritetet.
Deri të mërkurën, shërbimet e shpëtimit dhe zhytësit e qarkut Stearns kishin nxjerrë makinën nga uji në komunitetin Sartell, dhe brenda saj u gjetën mbetje njerëzore, njoftoi zyra e shefit të qarkut, Steve Soyka.
Nëpërmjet numrit të identifikimit të makinës (VIN), autoritetet arritën të përcaktojnë se makina i përkiste Roy Benn, i cili, në moshën 59-vjeçare, ishte shpallur i zhdukur në shtator 1967 nga zyra e sherifit të qarkut Benton dhe nuk ishte parë më që atëherë.
Mbetjet janë dërguar në një zyrë mjekësore për identifikim, por sipas zyrës së sherifit, ato besohet të jenë të Benn. Rasti tani është kthyer te zyra e sherifit të qarkut Benton, dhe familja e Benn është informuar dhe është kërkuar të dhënat e tyre gjenetike për konfirmim, shkruan Guardian.
Sherifi i qarkut Benton, Troy Heck, u shpreh: “Jemi të kënaqur që mund të kemi gjetur një zgjidhje që sjell qetësi familjes së tij.”
Benn ishte parë për herë të fundit më 25 shtator 1967, ndërsa mbante një shumë të madhe parash dhe po drejtonte makinën e tij Buick Electra. Ai zotëronte një servis pajisjesh elektrike në St. Cloud, Minesota, dhe bashkëshortja e tij kishte vdekur një vit më parë.
Më parë, vëllai i Benn, Walter, kishte bashkëpunuar me autoritetet për zbardhjen e zhdukjes, por pa rezultat. Rreth 8 vjet pas zhdukjes, Roy Benn u shpall ligjërisht i vdekur në 1975.
Autoritetet thonë se makina, megjithëse e mbushur me sedimente lumi dhe e dëmtuar nga dekadat nën ujë, ishte në gjendje të qëndrueshme.
Loch shprehu shpresën se familja e Benn do të marrë përgjigje të rëndësishme rreth asaj që ndodhi: “Ishte 100% fat,” tha ai, duke shtuar se ai dhe shoku i tij nuk do të kishin zbuluar makinën pa përdorur sonar-in atë ditë.