Detaje të reja janë mësuar nga ngjarja e rëndë e regjistruar në korrik të këtij viti në Vidhisht të Fierit, ku Refit Buzi vrau me armë zjarri ish-vjehrrin dhe ish-vjehrrën e tij, ndërsa pas rreth 9 orësh rrethimi dhe negociatash me Policinë i dha fund jetës brenda automjetit të tij.
Në qendër të hetimeve është tashmë edhe historia e marrëdhënies së tij me ish-partneren, Rozalinda Plaka, e cila pritet të jetë dëshmitarja kryesore për të hedhur dritë mbi konfliktin që parapriu ngjarjen tragjike.
Sipas të dhënave të dosjes së Prokurorisë, të siguruara nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, marrëdhënia mes Buzit dhe Plakës ishte shoqëruar prej kohësh nga konflikte, ndërsa ndarja mes tyre kishte vazhduar me përndjekje dhe këmbëngulje të vazhdueshme nga ana e 35-vjeçarit për t’u rikthyer me ish-partneren.
Nga ajo që thuhet në fashikujt e dosjes,çifti ishte ndarë pas një periudhe të gjatë bashkëjetese, por Buzi vijonte t’i kërkonte të resë rikthimin. Ajo e kishte denoncuar më herët, gjatë vitit 2025, për përndjekje, çka kishte çuar në dënimin e tij me disa muaj burg.
Megjithatë, sipas hetimeve, edhe pas daljes nga burgu ai vijoi të kërkonte rikthimin e marrëdhënies, pavarësisht refuzimit të vazhdueshëm të vajzës.
Përndjekja nisi sërish më 19 mars, menjëherë pasi 35-vjeçari doli nga burgu, pasi kishte shlyer dënimin. Ndaj tij ekzistonte një Urdhër Mbrojtjeje, por kjo nuk e kishte penguar që ta kontaktonte ish-partneren në mënyrë të përsëritur, duke përdorur edhe numra të ndryshëm telefoni.
Në kallëzimin e bërë më 22 prill, 23-vjeçarja ka përshkruar situatat që, sipas saj kishte përjetuar gjatë asaj periudhe. Ajo ka deklaruar se ish-i fejuari i saj i priste vazhdimisht rrugën pranë Urgjencës së Spitalit Rajonal të Fierit, ku ajo kryente praktikën si infermiere, si dhe në kafenetë përreth.
“Ose zbrit ose unë do djeg veten me benzinë”,mësohet të ketë thënë ajo, fjalë të cilat sipas saj ja thoshte Buzi.
Një prej episodeve të përshkruara në dosje lidhet me momentin kur Buzi e kishte marrë në automjetin e tij tip “Volksëagen” dhe e kishte drejtuar në një hotel në Novoselë.
Kur ajo kishte refuzuar të zbriste nga makina ai e kishte kërcënuar me vetëflijim:
“Zbrit nga makina dhe hyjmë që të vërtetoj që unë nuk të prek me dorë pa dëshirën tënde. Ose zbrit ose unë do djeg veten me benzinë para teje ose ti do më vrasësh mua pa e marrë vesh njeri dhe do i hipësh taksisë dhe do ikësh pa e marrë vesh njeri… Unë nuk jam kafshë dhe ato veprime që i kam bërë më para se të futesha në burg i kam bërë se nuk kam qenë mirë mendërisht”, i ka thënë ai së resë.
Sipas dëshmisë së 23-vjeçares, më pas ata kishin lëvizur nga hoteli për të ngrënë drekë. Gjatë këtij episodi, Buzi i kishte vendosur tre kushte, duke i bërë të qartë se nuk do ta pranonte ndarjen.
“Nëse ti do ndarje nga unë nuk do kesh njeri tjetër në jetën tënde, do më presësh mua një periudhë kohe Dhjetor, Qershor ose deri në Gusht, dhe kushti i tretë pavarësisht si përfundojmë ne të dy, nuk të kushton gjë të më takosh dhe të kalosh bukur me mua. Nëqoftëse ti nuk pranon asnjë nga këto kushte dhe do ndarje atëherë do tu zhduk të gjithëve si fis dhe se do mbajnë përgjegjësi familjarët e tu”.
Në të njëjtin kallëzim, e reja ka deklaruar se ishte kërcënuar edhe me fjalët: “Do t’ju shuaj si familje, do të vras prindërit!”.
Nëna e vajzës kishte kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të drejtësisë, duke shprehur shqetësimin se veprimet e ish-të fejuarit po i dëmtonin rëndë jetën, shëndetin dhe arsimimin e së bijës.
Por, pavarësisht urdhrit të mbrojtjes dhe denoncimeve të mëparshme, sipas dosjes hetimore, kontakti mes tyre kishte vijuar.
I pyetur nga grupi hetimor pasi ishte kapur në flagrancë nga Policia, Refit Buzi kishte pranuar se e kishte kontaktuar ish-partneren, edhe pse kishte dijeni të plotë për ekzistencën e urdhrit të mbrojtjes.
“E kam kontaktuar sepse e dua dhe ndjej akoma për atë, dua të lidhem përsëri… Nuk kam mundur dot ta lë të qetë”, është shprehur ai para policëve.
Pas denoncimit të radhës, Policia e Fierit e kishte arrestuar sërish Buzin, ndërsa gjatë hetimeve ishin sekuestruar edhe telefonat celularë të të dyja palëve.
Nga pajisjet, sipas dosjes, janë gjetur dhjetëra mesazhe, telefonata dhe mesazhe zanore, të cilat përmbanin komunikime me përmbajtje kërcënuese dhe ofenduese.
Pak muaj më vonë, konflikti do të merrte një kthesë tragjike. Në korrik 2026, Refit Buzi shkoi në banesën e ish-partneres në Vidhisht të Fierit dhe qëlloi për vdekje prindërit e saj, ndërsa Rozalinda Plakën e mori peng për disa orë.
Pas rreth nëntë orësh rrethimi dhe negociatash me Policinë, Buzi pranoi ta linte të lirë ish-partneren. Menjëherë më pas, ai kreu vetëvrasje brenda automjetit të tij.











