Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e marrë më 25 maj, me të cilin, me një shumicë prej 5 votash kundrejt 3, vendosi që Gjykata e Lartë të rishqyrtojë kërkesën për lirim të kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj.
Në vendim, Kushtetuesja kërkon që Gjykata e Lartë të japë një arsyetim të plotë se përse masa “arrest me burg” është e domosdoshme në rastin konkret dhe përse nuk mund të zbatohen masa më të lehta sigurie, duke marrë në konsideratë edhe faktin që Veliaj ushtron funksionin e kryebashkiakut.
“Gjykata vlerësoi se nuk ishte analizuar mjaftueshëm nëse masa “Arrest në burg” ishte e domosdoshme në raport me të drejtën për t’u zgjedhur (Neni 45 i Kushtetutës),. Sipas vendimit, Gjykata e Lartë dështoi të ushtronte një kontroll efektiv mbi faktin nëse masat më pak kufizuese (si garancia pasurore) mund të neutralizonin rreziqet pa penguar ushtrimin e funksionit publik të kryetarit të bashkisë.
Një tjetër pikë ku vendimi i Gjykatës së Lartë u gjet i cenueshëm ishte mungesa e arsyetimit lidhur me qëndrimin e Veliajt në kabinën e xhamit gjatë seancave,. Kërkuesi pretendoi se ky izolim krijonte një imazh negativ si person i rrezikshëm dhe cenonte parimin e prezumimit të pafajësisë”,- thuhet ndër të tjera në vendimin e Kushtetueses.
Kliko këtu për vendimin e plotë.











