45-vjeçarja shqiptare Gentiana Hudhra u vra në mes të qytetit në Itali nga ish bashkëshorti i saj. Policia italiane arrestoi autorin e krimit Nikolaq Hudhra, i cili dyshohet se ka pasur çrregullime të natyrës psikike.
Mediat italiane kanë publikuar dëshminë e një banore të Tolentinos në Itali, e cila ka parë skenën e krimit.
“Isha në bar kur dëgjova një britmë tmerruese. Dola jashtë dhe pashë një sherr mes një burri dhe një gruaje. Ajo në një moment ra në tokë, e pafuqishme, ndërsa ai vazhdonte ta godiste me këmbë. Thirra menjëherë 118-in, iu afrova dhe pashë shumë gjak. Ai ishte ulur në një stol, pothuajse i kënaqur, dhe thoshte: ‘Unë e bëra, jam mirë. Po pres’.”, tha ajo.
Në vendin e ngjarjes mbrëmë shkoi edhe kryetari i bashkisë së Tolentinos Mauro Sclavi, dhe zv.kryetarja Alessia Pupo.
“Ka shumë dhimbje në Tolentino në vetëm një javë,” tha kryebashkiaku, duke iu referuar ngjarjeve të fundit: vdekjes së vajzës 14-vjeçare Gessica Vulpe, e cila u godit nga një furgon në zonën Pace të shtunën e kaluar. Po ashtu 60-vjeçari Alberto Forconi humbi jetën në një aksident me traktor. Një femicid është shumë – vazhdoi kryetari – çfarë po bëhemi? Gentiana ishte një njeri i mirë, kujdestare e dashur dhe e respektuar nga të gjithë. Falënderoj autoritetet që menjëherë organizuan mbështetje psikologjike për dy fëmijët e çiftit. I gjithë komuniteti është pranë tyre.”