Gjykata e Elbasanit ka lënë në burg Nevzat Spahon, autorin e dyshuar që ekzekutoi biznesmenin Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla. Seanca me dyer të mbyllura nisi në orën 10:30, ndërsa Prokuroria e Elbasanit kishte kërkuar lënien pas hekurave të tij, e cila u aprovua nga togat e zeza.
Avokati mbrojtës dhe vetë i hetuari Nevzat Spaho kundërshtuan masën e sigurisë, duke kërkuar një masë më të lehtë dhe duke pretenduar se ndalimi ishte i pabazuar, por gjykata i rrëzoi këto argumente. Ndërkohë ende janë të paqarta lidhjet e Spahos me biznesmenin nga Elbasani, por në gjurmët e tij çoi makina e cila u përdor në momentin e ngjarjes dhe më pas u dogj pranë fshatit Morakë të Librazhdit.
Mbrëmjen e së dielës (30 Nëntor), biznesmeni Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla u ekzekutua brenda mjetit të tij tip Range Rover. Trupi i pajetë i 43-vjeçarit u gjet brenda makinës rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu” të qytetit të Elbasanit. Viktima sapo kishte dalë nga zyra, në afërsi të së cilës ndodhen bizneset dhe shtëpia e nënës së tij.
Në momentin kur është futur në makinë, është qëlluar me armë zjarri dhe ka marrë tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha daljet e qytetit, ndërsa janë bërë kontrolle në zonë dhe në ambiente të ndryshme për kapjen e autorëve.










