Ngacmimi i gruas së autorit Gazment Buçpapaj, nga Egli Pashollari dyshohet se është bërë shkak për vrasjen me thikë të 31-vjeçarit, pasditen e së premtes, në zonën e ish-parkut në Tiranë.
Sipas burimeve të policisë, bashkëshortja e Buçpapës, e cila punon si shitëse në një market në afërsi të vendit ku ndodhi krimi, i ka treguar burrit për ngacmimet nga Pashollari. Gazment Buçpapaj, së bashku me gruan dhe një person tjetër, rreth orës 15:40, u konfliktuan me 31-vjeçarin, duke e goditur me thikë për vdekje.
Pas ngjarjes, ata janë larguar me makinën e Buçpapës dhe, pasi e kanë braktisur atë, kanë marrë një taksi për në banesën e tyre në zonën e Sharrës. Pasi kanë mbërritur në shtëpi, Buçpapaj është arratisur dhe aktualisht ndodhet në kërkim nga policia.
Gruaja e autorit është marrë në pyetje dhe ka deklaruar se viktima e ngacmonte shpesh dhe nuk e linte rehat. Ajo nuk është arrestuar nga policia. Në pyetje janë marrë edhe prindërit e autorit, të cilët kanë dhënë të njëjtin version si gruaja.










