• About
  • Advertise
  • Privacy & Policy
  • Contact
E hënë, 9 Qershor, 2025
  • Login
Iliria News
CityDent
  • KREU
  • Shqipëri
    • Aktualitet
    • Ekonomi
    • Politikë
  • Kosova
  • Rajoni
  • Bota
  • Analizë
  • Sporti
  • Showbiz
  • Video
  • Ekstra
    • Shëndeti
    • Kulturë
    • Teknologji
Asnjë rezultat
Shiko të gjitha rezultatet
  • KREU
  • Shqipëri
    • Aktualitet
    • Ekonomi
    • Politikë
  • Kosova
  • Rajoni
  • Bota
  • Analizë
  • Sporti
  • Showbiz
  • Video
  • Ekstra
    • Shëndeti
    • Kulturë
    • Teknologji
Asnjë rezultat
Shiko të gjitha rezultatet
Iliria News
Asnjë rezultat
Shiko të gjitha rezultatet
Kreu Shqipëri Aktualitet

Vrasës të huaj/ Kontratat e vdekjes që u lidhën me italianë, grekë, portugezë, marokenë e rumunë

8 Qershor, 2025
tek Aktualitet, Lajme
Share on FacebookShare on Twitter

Shumë vrasje që ndër vite mbeteshin pa autorë, i faturoheshin “profesionistëve”. Dyshimet hidheshin në disa drejtime. Për disa krime autorët aludohej se mund të ishin “ekspertë”, si ish-ushtarakë apo ish-policë, të stërvitur për të goditur në shenjë. E për disa të tjera, shpesh hetimet orientoheshin drejt vrasësve me pagesë, që nuk i lidhte asnjë motiv dhe asnjë provë me viktimën.

Ngjarje të tilla grupi hetimor i konsideronte të vështira për t’u zbardhur. Madje në ndonjë rast duke i konsideruar si “krime të përsosura”. Por kjo ngjante më shumë si një formë për të justifikuar pamundësinë për t’i zbardhur disa vrasje. Pamundësinë për të siguruar provat e në ndonjë rast edhe paaftësinë.

Koha ka treguar se në fakt asnjë krim nuk është i përsosur. Dikur do të gjendet me doemos një provë. Dikush, diku patjetër që të ketë parë e mund të dijë diçka.

Lexo edhe:

Ankimimi në Apel/ I akuzuar për korrupsion, Veliaj ofron garanci pasurore për të dalë nga qelia

(Video) IKMT zbarkon në jug mes sezonit turistik. Fadromat shembin ndërtime pa leje mes pushuesve

Dhe kjo u dëshmua në disa ngjarje të rënda kriminale, që edhe pse ishin realizuar nga vrasës me pagesë, u arrit të dokumentohen. Disa me punë hetimore, disa me të penduar që bashkëpunuan me drejtësinë dhe rrëfyen edhe skutat me të errëta të krimit.

E teksa u vërtetua se në fakt edhe vrasësit me pagesë mund të kapeshin, pra nuk ishin edhe aq ekspertë sa supozohej, të tjera teori nisën të qarkullojnë me shpejtësi.

Vrasësit mund të ishin edhe shtetas të huaj.

Shumëkush i vuri në dyshim këto teori, të paktën deri në vitin 2015, kur në një krim të trefishtë në qendër të Tiranës, u përfshi edhe një shtetas italian, i cili sot është i dënuar me burgim të përjetshëm.

Zgjedhja e grupeve kriminale për të kontraktuar shtetas të huaj që të lanin hesapet e tyre në Shqipëri, ishte parë si një mundësi e përkryer. Ata ishin njerëz që nuk i njihte askush. Për pasojë identifikimi i tyre ishte më i vështirë. Të huajt kushtojnë më shumë, por janë më të sigurt për të mos u ekspozuar.

Megjithatë asgjë nuk është e pamundur.

Dosja “Metamorfoza” e vitit 2023 ishte një tregues i qartë se sa me lehtësi grupet shqiptare mund të kontraktonin vrasës të huaj. Bisedat e shpenguara që zhvillonin në platformën SKY treguan se për realizimin e një krimi në Shqipëri, ata mund të bënin ujdi me killera nga Serbia, madje edhe nga vendet Arabe.

Gjatë kësaj dekade kanë ndodhur disa vrasje që për Policinë dhe Prokurorinë, ka pasur të dhëna të sigurta që janë realizuar nga shtetas të huaj. Kryesisht vrasës të kontraktuar nga grupe kriminale shqiptare për të realizuar ekzekutimin e rivalëve të tyre në Shqipëri.

Të paktën tri prej tyre janë dokumentuar dhe vrasësit ndodhen pas hekurave. Dy të dënuar me burgim të përjetshëm dhe një i tretë që është ende në gjykim.

Por nga ana tjetër, gjatë vitit 2025, në një hark kohor prej tri javësh, ndodhën dy vrasje në Vlorë dhe në Durrës, për të cilat tashmë grupi hetimor ka të dhëna të sigurta që janë realizuar nga shtetas të huaj.

Po flasim për krime të konsideruara mafioze apo si vrasje me pagesë. Megjithatë nuk kanë munguar ngjarje të renda kriminale, kryesisht krime në familje, ku janë përfshirë shtetas të huaj që ndodheshin në vendin tonë në rrethana të ndryshme.

Dy prej vrasjeve të ndodhura në fund të muajit prill dhe në maj të vitit 2025 në Vlorë dhe Durrës, ka të dhëna të siguruara nga grupi hetimor, se janë realizuar nga vrasës të huaj. Deri tani asnjëri nuk është arritur të ndalohet, megjithatë duket se provat janë të mjaftueshme për t’i shpallur në kërkim.

VRASJA E RENATO HOXHËS

Mëngjesin e 27 prillit të vitit 2025, 58-vjeçari Renato Hoxha, u ekzekutua me 4 plumba, pranë banesës së tij, në lagjen “Hajro Çakërri”, në Vlorë. Krimi dukej si një ngjarje që ekspozoi edhe një herë përplasjen mes grupeve të Vlorës, megjithëse viktima ishte një person pa të shkuar kriminale dhe me një profil të ulët. I ndaluar si person i dyshuar për bashkëpunim në vrasje, është 37-vjeçari Evis Mehmetaj, i cili mesditën e datës 1 maj 2025 u la në burg nga Gjykata e Vlorës, për përkrahje të autorit të krimit dhe sigurim kushtesh për të kryer vrasjen e Renato Hoxhës. Evis Mehmetaj, me origjinë nga Tropoja, djali i ish-deputetit demokrat, Xhevdet Mehmetaj, jetonte në Tiranë por shpesh herë udhëtonte në Dubai. Nga ana tjetër ai njihet edhe si mik i Roan Brahimit, i ekzekutuar në maj të vitit 2024 në Athinë. Ndërsa më 17 prill 2025 Brahimit i vranë edhe të atin, Gjovalin Prendin, në Pllanë të Lezhës. Ngjarje që vijon të jetë pa autor.

Grupi hetimor ka dyshime se Renato Hoxha mund të jetë vrarë për hakmarrje, por edhe për t’i mbyllur gojën. Pasi ka dyshime që mund të ketë qenë person, që ka pasur dijeni për disa krime të ndodhura në Vlorë. Policia ka dyshime se Hoxhaj mund te ketë pasur rolin e informatorit dhe për këtë arsye është ekzekutuar. Një ndër ngjarjet që po hetohet si një lidhje e mundshme me vrasjen e Renato Hoxhës, është edhe ekzekutimi i Gëzim Sinomatajt me snajper, më 7 janar të vitit 2024. Por përveç saj po verifikohet edhe atentati me eksploziv ndaj Bernard Sinomatajt, i ndodhur në Tiranë më 21 dhjetor të vitit 2024. Të dy këto ngjarje, duket se kanë ngritur dyshime të dyfishta për hetuesit në lidhje me rolin e Renato Hoxhës, qoftë si person që mund të ketë pasur informacione për ngjarjen e parë në Vlorë, qoftë nëse ka dhënë informacione për ngjarjen e dytë të Tiranë. Ky dyshim e kthen atë në objektiv të dy grupeve rivale, por pa përcaktuar me saktësi se cilit prej tyre.

Një tjetër detaj që e ka shtyrë grupin hetimor drejt kësaj piste, është edhe fakti se Hoxha kohët e fundit kishte filluar të ruhej, i druhej një atentati, kjo edhe për shkak se kishte instaluar disa kamera pranë banesës së tij.

Kamerat e sigurisë kanë fiksuar lëvizjet e autorit të vrasjes, para dhe pas realizimit të ngjarjes, por pa arritur të identifikohej, për shkak të maskimit që kishte kryer. Nga verifikimet rezulton se vrasësi e ka pritur Hoxhën për afro 90 minuta pranë pallatit derisa ai të dilte. Ndërsa është mësuar edhe rruga që ai ka ndjekur me makinë për t’u afruar në vendngjarje e më tej për t’u larguar.

Hetuesit kanë mundur të zbulojnë edhe lëvizjet e vrasësit, i cili rezulton që deri në Ksamil të jetë larguar me të njëjtën makinë. Aty ekzekutori ka zbritur dhe ka ecur në këmbë ndërsa më pas ka përdorur një taksi. Sipas të dhënave të grupit hetimor ka dyshime se autori i vrasjes është larguar në Greqi ilegalisht përmes Qafë Botës.

Ndërsa pas arrestimit të Evis Mehmetaj, si person që ka dhënë ndihmë në ngjarje, duke pretenduar nga vetë ai se i ka dhënë makinën një miku, e cila më tej me targa të ndryshuar është përdorur në ngjarje. Makina e përdorur në krim, sipas Policisë i ishte blerë një gruaje nga Vlora nga Evis Mehmetaj. Nga ana tjetër, atij i është sekuestruar edhe telefoni. Përmes tij por edhe shumë provave të tjera, është arritur në përfundimin se urdhri për vrasjen e Renato Hoxhës është dhënë nga Dubai.

Më 23 maj 2025, tre persona u shpallën zyrtarisht në kërkim nga policia e Vlorës, për sa i përket vrasjes së 58-vjeçarit Renato Hoxha. Të tre të dyshuari rezultoi se ishin larguar nga Shqipëria. Bëhet fjalë për një shtetas rumun, i cili dyshohet të ketë pasur rolin e ekzekutorit, si dhe dy shtetas shqiptarë, për të cilët ka dyshime të forta që kanë marrë pjesë dhe kanë organizuar vrasjen. Shtetasi rumun, dyshohet të jetë personi i maskuar që shfaqen në pamjet e kamerave të sigurisë, të sekuestruara nga Policia menjëherë pas ngjarjes. Ai është fiksuar edhe para ngjarjes, duke vëzhguar terrenin, por edhe pasi ka realizuar krimin dhe largohet nga vendngjarja.

Burime të Policisë thanë se është shpallur edhe Alesio Dobrozi, që sipas informacioneve rezulton se ndodhej në Dubai. Dobrozi po ashti njihet si miku i ngushtë i Roan Brahimit.

Të dy, Brahimi dhe Dobrozi u shpallën në kërkim fillimisht në vitin 2021, për një incident të rëndë që ndodhi në një lokal në Zejmen të Lezhës, më 13 nëntor të atij viti. Në lidhje me ngjarjen Policia e Lezhës arrestoi në atë kohë një 21-vjeçar pasi dyshohej se kishte bashkëpunuar i Ramazan Rrajës, Roan Brahimit dhe Alesio Dobrozit, të cilët u dyshuan si autorë të asaj ngjarjeje. Të armatosur dhe me maska, ata u futën në lokal për të gjetur kushëririn e pronarit të lokalit, me të cilin kishin konflikt. Në pranga ra Ardit Luli, i cili akuzohej se pas ngjarjes kishte fshehur tre autorët që të mos gjendeshin nga policia. Policia tha në atë kohë se tre të dyshuarit, ishin larguar jashtë vendit, në drejtim të Dubait. Tashmë, vetëm një prej tyre ndodhet në qeli, Ramazan Rraja. Roan Brahimi u vra në Greqi në maj të vitit 2024, ndërsa Alesio Dobrozi aktualisht është shpallur në kërkim për vrasjen në Vlorë.

Nga ana tjetër, Dobrozi ka qenë një ndër ata që ishte shpallur në kërkim policor edhe për vrasjen e Brilant Martinajt, si person që mund të kishte dijeni për krimin.

Bashkë me Dobrozin dhe shtetasin rumun, që dyshohet të ketë pasur rolin e ekzekutorit, në kërkim rezulton edhe një tjetër shtetas shqiptar, që po ashtu ndodhet jashtë vendit.

VRASJA E ERMIR DEDJAS

Një 29-vjeçar u ekzekutua me breshëri kallashnikovi në Durrës në orët e vona të 19 majit 2025. Viktima, Ermir Dedja, nga Shijaku, i veshur me një kostum sportiv, po lëvizte në këmbë duke iu afruar një lokali, kur ndaj tij u qëllua disa herë pas shpine.

Ngjarja ndodhi shumë pranë qendrës shëndetësore, kur atentatorë që e prisnin brenda një makine të bardhë tip “Seat”, nisën breshëritë e kallashnikovit në drejtim të tij. I riu u dërgua me shenja jete në Spitalin e Durrësit, por aty dha frymën e fundit, duke mos arritur të mbijetojë. Në atentat dyshohet se morën pjesë të paktën 3 persona. Krismat tmerruan kalimtarët që në atë moment po lëviznin në rrugë.

Policia mundi të sekuestrojë pamjet e disa prej kamerave të sigurisë në zonë, disa prej të cilave kanë fiksuar momentin kur makina e autorëve lëviz në krahun e kundërt dhe pak çaste më vonë dëgjohen të shtënat. Në pamjet filmike, që janë edhe me audio, dëgjohen krismat e kallashnikovit por edhe të bërtiturat e njerëzve, disa prej të cilëve nxitojnë të kthehen mbrapsht për t’u shpëtuar plumbave.

Grupi hetimor fillimisht nisi të gërmojë rreth të shkuarës së Ermir Dedjas, që kishte pasur disa precedentë penal, kryesisht për çështje droge dhe përkrahje të autorit të krimit.

Në vitin 2015, ai ishte arrestuar pasi i kishte lëndë narkotike një grupi që synonte ta trafikonte në Kosovës, përmes pikës kufitare të Morinës. Ndërsa dy vite më vonë ra sërish në pranga, i dyshuar për përkrahjen të autorit të krimit. Konkretisht, u akuzua se kishte ndihmuar autorin e një plagosje të ndodhur në Shijak, shtetasin Ismail Nuredin. Nga ana tjetër, grupi hetimor kishte të dhëna se ai kishte vepruar edhe si pjesë e grupit të Avdylajve në Shijak, pasi kishte miqësi me njërin prej tyre, Aldo Avdylajn. Ermir Dedja, kohët e fundit kishte jetuar në Gjermani, ku dyshohet se ishte i përfshirë në veprimtari kriminale.

Nga verifikimi i pamjeve filmike rezulton se autorët kanë mbikëqyrur zonën për orë me radhë dhe më pas i kanë zënë pritë në rrugicën ku ai lëvizte më shpesh. Pasi realizuan vrasjen, autorët u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes me automjetin “Seat”, që pak orë më vonë u gjet i djegur nga Policia e Vorës, në afërsi të fshatit Gërdec. Në makinë u gjet e djegur edhe një kallashnikov, që sipas Policisë është arma e përdorur në krim.

Policia e Durrësit, tri ditë pas ngjarjes, zbuloi se automjeti i përdorur në këtë atentat, ka hyrë në territorin shqiptar më datë 18 maj, pra një ditë para vrasjes. Makina është sjellë nga Porti i Durrësit nga një shtetas maroken, i cili është larguar nga Shqipëria ditën pas ngjarjes. Autoritetet shqiptare kanë shpallur në kërkim shtetasin maroken dhe kanë kërkuar ndihmën e partnerëve për të bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin e tij. Po ashtu, në lidhje me këtë ngjarje është identifikuar edhe një person tjetër i dyshuar, shtetas shqiptar, i cili është shpallur në kërkim.

Si pistë kryesore e ngritur nga grupi hetimor është ajo e vrasjes me motive hakmarrje, por pa përjashtuar edhe pista të tjera hetimore.

VRASËSI PORTUGEZ

Pas një paqeje 24-vjeçare, gjakmarrja u rikthye sërish në Lezhë më 19 prill të vitit 2023, kur u vra biznesmeni Ardian Nikulaj. Madje në formën e një grupi të strukturuar kriminal, nga shtetas të huaj që nuk ia kanë idenë kanunit e të drejtës zakonore. Në orën 13:30, Nikulaj ishte ulur i vetëm duke pirë kafe në lokalin e tij dhe po fliste në telefon. Aty është futur një person i veshur me jelek fosforeshent, skafandër në kokë, i ngjashëm me korrierët që shpërndajnë postën.

Ky person shtatlartë, që u arrestua pak kohë më vonë në Marok, portugezi Ruben Saraiva, i është afruar Nikulajt pa e hequr skafandrën. Më pas, ka nxjerrë nga brezi pistoletën dhe e ka qëlluar 6 herë. Madje duke iu afruar shumë pranë. Pasi është siguruar që e ka vrarë, duke qenë se e qëlloi edhe në kokë, ai nxiton të largohet drejt motorit që e kishte lënë afro 200 metra larg lokalit “Coral”.

Ngjarja u zbardh në kohë rekord dhe ishte vetë drejtori i përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, që në një konferencë për shtyp tha se vrasja kishte ndodhur për gjakmarrje dhe autorët ishin identifikuar.

Të dyshuar për këtë ngjarje janë: Ruben Saraiva, shtetas nga Portugalia, i dyshuar si ekzekutor, bashkëpunëtorët Harry Simson, Harriet Bridgeman, Thomas Mithan, dhe Steven Hunt të gjithë shtetas britanikë, si dhe Edmond Haxhia, shtetas shqiptaro- britanik, që sipas Policisë dyshohet të jetë porositës, financues e planifikues i vrasjes së Ardian Nikulajt. Edmond Haxhia, është djali i dajës së Elton dhe Klodian Lekstakajt, të cilët jetojnë në Angli. Ishin në gjak me Nikulajn.

Grupi hetimor është ndalur te fakti se Edmond Haxhia iku nga Shqipëria përmes Rinasit vetëm pasi u bind se vrasja është kryer. Haxhia kishte jetuar shumë kohë jashtë vendit dhe kur u kthye askush nuk e njihte. Ai kishte ikur në Angli që kur ishte14 vjeç dhe ndërkohë ishte kthyer në zonë me qëllimin për të orientuar grupin e të huajve që duhej të vrisnin për gjakmarrje Ardian Nikulajn.

Edmond Haxhia dhe tre shtetas të tjerë britanikë janë ndaluar në Angli. Ata janë në paraburgim në pritje të miratimit të kërkesës për ekstradim. Me përjashtim të Harriet Bridgeman, për të cilën Gjykata vendosi të hetohej në gjendje të lirë, duke qenë se ishte nënë e një vajze të mitur. Më 27 gusht 2024, Gjykata e ekstradimeve “City of Westminster Magistrate Court”, vendosi të ata të ekstradoheshin.

Në shkurt të vitit 2025 atyre u është refuzuar kërkesa për të apeluar vendimin e lejimit të ekstradimit në vendin tonë. Gjykata e Apelit në Londër nuk e pranoi kërkesën e apelimit të Edmond Haxhisë, Thomas Mithan, Harry Simpson, Harriet Bridgeman dhe Steven Hunt. Ndërkohë, Gjykata atje pranoi parashtrimet e Ministrisë së Drejtësisë shqiptarë, që argumentonte pse nuk duhej pranuar apelimi. Pesë të dyshuarit, shtetasi shqiptarë dhe 4 britanikët tentuan që të rrëzonin vendimin për ekstradim, por pa sukses.

Tashmë, gjithçka është në dorën e Interpolit, për të realizuar ekstradimin e tyre, në mënyrë që të përballen me akuzat në Gjykatën e Lezhës, ku tashmë ka nisur gjykimi për vrasësin portugez, Ruben Saraiva. Prokuroria e Lezhës akuzon Edmond Haxhinë se ishte truri organizativ i vrasjes së Ardian Nikulajt. Ndërsa katër britanikët kanë pasur rolin e vëzhguesve, duke i përcjellë informacione ekzekutorit Saraiva.

Sipas të dhënave të dosjes hetimore, Edmond Haxhia ka marrë një makinë me qira në Shkodër.  Më 14 shkurt ai është parë në Aeroportin e Rinasit ku ka marrë shtetasin portugez. Nga Rinasi ka shkuar në Shkodër. Në muajin Mars, Edmond Haxhia ka marrë në në Aeroportin e Rinasit edhe shtetasit britanikë Harriet Bridgeman, Thomas Mithan dhe Steven Hunt.

Ndërsa personi tjetër, i dyshuar si i përfshirë në ngjarje, Harry Simson, ka mbërritur në Rinas më 11 mars dhe është larguar menjëherë pas vrasjes, po nga Rinasi, më 19 prill.

Në kohën që të gjithë këta persona janë bërë bashkë, kanë nisur planin dhe organizimin e ngjarjes. Fillimisht vëzhgimin e perimetrit rreth godinës në Shëngjin, që është hotel, restorant dhe bar, si dhe kanë monitoruar të gjitha lëvizjet e Ardian Nikulajt.

Këta persona kanë qëndruar dhe janë akomoduar në zona të ndryshme, përfshirë edhe hotelin në pronësi të Nikulajt. Portugezi ka furnizuar motorin e tij në një pikë karburanti në autostradën Lezhë-Shkodër. Kjo është zbuluar pas këqyrjes së kamerave të sigurisë dhe policia ka shoqëruar e pyetur punonjësin e karburantit, i cili ka komunikuar me drejtuesin e motorit.

Nga verifikimi i pamjeve të kamerave të sigurisë ka rezultuar se ekzekutori i biznesmenit Ardian Nikulaj ka mbërritur pranë vendit të ngjarjes 8 orë para vrasjes. Gjatë kësaj kohe ai ka qëndruar në një pallat në ndërtim nga ku ka dalë vetëm pasi është njoftuar se ishin krijuar kushtet e përshtatshme për kryerjen e ekzekutimit në lokalin “Coral”. Pallati në ndërtim e sipër ku qëndroi i fshehur vrasësi është rreth 100-150 metra larg vendit ku ndodhi vrasja.

Autori i maskuar me jelek fosforeshent dhe skafandër dyshohet se u njoftua që objektivi i tij ishte i vetëm në tavolinë dhe kreu ekzekutimin. Skema e ngjarjes, që nga organizimi dhe deri të vrasja është zbardhur për grupin hetimor nga një grua që është kthyer në bashkëpunëtore.

Ka folur me prokurorin e çështjes dhe shefin e Krimit të Organizuar duke treguar të gjitha lëvizjet e shtetasit portugez. Ajo ka treguar se Ruben Saraiva ka tentuar disa herë që të ekzekutojë Ardian Nikulajn, por nuk ka arritur të kryejë vrasjen. Madje edhe në rastet e mëparshme ka udhëtuar me të njëjtin motor.

Gruaja që është kthyer në bashkëpunëtore, ka deklaruar se vrasësi ishte mësuar të fliste disa fjalë në gjuhën shqipe, në mënyrë që të mos kuptohej që ishte shtetas i huaj. Gjatë veprimeve hetimore janë gjetur prova që kanë shërbyer për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Pas ngjarjes, shtetasi portugez dhe 2 nga ata britanikë Harriet Bridgeman dhe Steven Hunt, janë larguar nga Shqipëria nga Kapshtica në drejtim të Greqisë, duke lëvizur në këmbë. Të tre janë regjistruar në sistemin TIMS.

Vrasësi i huaj që u kontraktuar për të realizuar ekzekutimin e Ardian Nikulajt për gjakmarrje, u arrestua më 8 maj të vitit 2023 në Marok. Ruben Saraiva, në momentin që autoritetet policore marokene ndërhynë për ta arrestuar, ishte i vetëm në një lokal në Rabat. Portugezi nuk bëri rezistencë kur pa se ishte rrethuar dhe u prangos. Gjatë arrestimit Saraivës nuk iu gjetën dokumente me vete, por dyshimet e hetuesve shqiptar janë se ai kishte shkuar në Marok me dokumente false, pasi me emrin e tij nuk ka dalë në mënyrë të rregullt nga Greqia, vend që e përdori për t’u larguar përmes pikës kufitare të Kapshticës ditën që vrau Ardian Nikulajn. Saraiva u ekstradua nga Maroku ne Shqipëri më 31 dhjetor të vitit 2023.

Më 20 shkurt 2025, pas mbylljes së hetimeve dhe komunikimit të akuzës në fund të vitit 2024, dosja penale në ngarkim të portugezit Ruben Saraiva i marrë i pandehur, për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, është dërguar për gjykim në Gjykatën e Lezhës. Dosja është e veçuar nga pesë personat e tjerë, të cilët nuk janë ekstraduar ende nga Britania e Madhe. Çështja u shqyrtua nga gjyqtari Renis Sheshi. Ndaj 30-vjeçarit portugez prokuroria e Lezhës ka ngritur akuzat “Vrasja për gjakmarrje” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Në mars, pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes së nuk kishte prova, Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë dhe kaloi për gjykim Saraivën.

VRASËSI GREK

Devi Kasmi, personi që ishte një nga të dyshuarit për vrasjen e Franc Konomit, u ekzekutua në një atentat të mirëorganizuar mbrëmjen e datës 29 janar të vitit 2018, në Tiranë.

Policia e Tiranës gjeti rreth 2.8 kg kokainë dhe një armë zjarri në banesën e tij. Menjëherë pas ngjarjes Policia tha se vrasja e Kasmit dyshohej të ishte kryer për shkak të përfshirjes së tij në trafikun e kokainës në Spanjë, ku kishte jetuar disa vite. Devi Kasmi u qëllua për vdekje në momentin që doli nga pallati, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, në kryeqytet. Ekzekutimi i tij u lidh nga Policia e Tiranës me atentatin që ai i kishte bërë në Spanjë Domart Konjarit, në vitin 2010. Madje Konjari u shpall në kërkim në lidhje me vrasjen.

Por gjatë hetimeve rezultoi se atentati ndaj Devi Kasmit kishte qenë i mirëorganizuar nga një grup personash, me role të përcaktuara, ku rolin e ekzekutorit e kishte një ish-komando grek, Eftimio Eftimiu.

Në maj të vitit 2023, Gjykata e Posaçme shpalli fajtor dhe dënoi me burgim të përjetshëm Aurel Hoxhallarin, i akuzuar si organizator dhe porositës i vrasjes së Devi Kasmit.  Për këtë vrasje është dënuar me burgim të përjetshëm edhe ish-komando grek, Eftimio Eftimiu. Gjithashtu togat e zeza të Apelit të GJKKO-së, dënuan me 33 vite burg të bashkëpandehurin tjetër Elton Halipajn, i cili dyshohet se është personi që  i siguroi grekut mjetet për të kryer vrasjen. Prokuroria e Posaçme thotë se nga hetimet rezultoi se Hoxhallari ka kontaktuar ish-efektivin grek për të kryer atentatin, ndërsa përgatitja e ngjarjes ka marr disa muaj.

Eftimio Eftimiu bashkë me Elton Halipajn i kanë bërë prit Devi Kasmit, pranë banesës së tij dhe më pas u larguan me furgon të bardhë, i cili ishte çelësi i zbardhjes së ngjarjes. Pas gjetjes së furgonit, Policia gjeti në të gjurmë ADN-je të shtetasit grek dhe nëpërmjet një kontrate shitje u arrit të personi tjetër Elton Halipaj. Motivi i këtij krimi mbetet ende i pazbardhur nga policia ndërsa dyshohet se pas përplasjeve mes grupeve kriminale persona ende të paidentifikuar paguan për ekzekutimin e Kasmit duke kontraktuar ish-komandon grek.

Në kohën kur në Shqipëri vazhdonin hetimet lidhur me vrasjen e Devi Kasmit në kryeqytet, mediat greke nisën të publikojnë detaje për të dyshuarin kryesor, Eftimio Eftimiu, i cili ka shërbyer në vendin fqinj si efektiv i forcave speciale për dy dekada. Gazeta greke “To Vima”, shkruante se Eftimiu, i cili në kohën kur realizoi vrasjen ishte 43 vjeç, ka punuar dhe si roje në ambasadën shqiptare në Greqi. Gjithashtu ne shkrim thuhet se në të shkuarën ai është përfshirë në trafik ndërkombëtar të drogës.

Gazeta greke

I dyshuari si vrasës me pagesë jeton në një fshat malor të Artës dhe është përfshirë në një rast të trafikimit të 6 kg kokainë nga Kolumbia në Aeroportin e Frankfurtit në vitin 2009. Një rrjet i gjerë i trafikimit dhe shpërndarjes së drogës u zbulua në maj 2016 në rajonin e Artës. Eftimiu është akuzuar së bashku me 20 persona të tjerë, shumica shqiptarë, për përfshirje në trafik kokaine. “Themis” siç njihej ai në rrethin kriminal, u dënua me 4 vite burg për posedim droge. Megjithatë ishte lënë i lirë pasi një dëshmitar u shpreh se drogën e kishte për përdorim personal.

Në shkurt të vitit 2018, Drejtoria i Policisë së Tiranës, njoftoi se Policia në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë finalizuan me sukses goditjen e grupit të strukturuar kriminal “Enigma”, ku u arrestuan në flagrancë 4 persona. Të arrestuarit ishin: Elton Halipaj, 36 vjeç, lindur në Skrapar e banues në Tiranë; Eftimio Eftimiu, 43 vjeç, lindur e banues Arta, Greqi; Malvin Dinellari, 30 vjeç, lindur në Korçë e banues në Tiranë; Elton Hoxhallari, 36 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi Aurel (Altin) Hoxhallari, 41 vjeç, lindur e banues Tiranë.

Policia e Tiranës

Ky operacion është rezultat i një pune profesionale të pandërprerë duke vlerësuar maksimalisht informacionet e grumbulluara, si dhe provat e administruara nga grupi hetimor në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datë 29 janar 2018, ku në rrugën ‘Petro Çani’ u vra me armë zjarri shtetasi Devi Kasmi. Shtetasi i shpallur në kërkim, Aurel Hoxhallari, dyshohet si organizatori i këtij grupi të strukturuar kriminal. Elton Halipaj dyshohet se ka siguruar mjetet e nevojshme për kryerjen e krimit. Shtetasi grek dyshohet në rolin e ekzekutorit të shtetasit Devi Kasmi, si vrasës me pagesë. Në momentin e arrestimit, atij iu gjetën me vete një sasi e konsiderueshme eurosh dhe parash shqiptare, që dyshohet se i ka përfituar si shpërblim për vrasjen. Shtetasi Malvin Dinellari dyshohet se ka siguruar mjetet dhe ka përgatitur infrastrukturën për realizimin e vrasjes. Gjithashtu edhe Elton Hoxhallari dyshohet si bashkëpunëtor në sigurimin e mjeteve dhe përgatitjen e infrastrukturës për realizimin e vrasjes.

Gjatë këtij operacioni forca të shumta të Policisë së Tiranës kanë ushtruar kontrolle në disa banesa të autorëve të dyshuar, si dhe në një vilë të ndodhur në periferi të Tiranës, në fshatin Mëzez, në pronësi të organizatorit të këtij grupi, e cila shërbente si bazë e grupit. Si rezultat i kontrolleve të kryera në këtë vilë është gjetur një arsenal armësh, municionesh, eksplozivësh, raketa hedhës, armë të precizionit të lartë, minë me telekomandë, dylbi, radio ndërlidhje (si ato të policisë), të cilat funksiononin në grup, maska, veshje kamuflazhi, etj. U sekuestruan në cilësinë e provës materiale automjeti, i cili dyshohet se është përdorur në kryerjen e vrasjes. Gjithashtu edhe 2 pistoleta, njëra prej tyre e dyshuar si arma e krimit, 4 armë automatike, 2 snajper, 4 pushkë automatike, 1 armë antitank me 2 predha, 1 bombë me telekomandim në distancë, sasi e konsiderueshme lënde eksplozive C4 dhe tritol, 4 radio marrëse, një dron, 2 maska dhe 110 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa.

Më 4 dhjetor të vitit 2024 Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin me burg përjetë për shtetasin grek Eftimio Eftimiu. Ish-komando grek kishte dorëzuar rekurs në Gjykatën e Lartë pasi në mars të vitit 2021, Apeli i Gjykatës së Posaçme e shpalli fajtor për vrasjen e Devi Kasmit dhe e dënoi me burgim të përjertshëm.

VRASËSI ITALIAN

Më 27 maj të vitit 2015, tre persona mbetën të vrarë gjatë një përplasje me armë zjarri që ndodhi shumë afër qendrës së Tiranës. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:20, në Bulevardin “Zogu i Parë”, në hapësirën mes maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” dhe Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Viktimat ishin shtetasit, Mentor Lufi, 39 vjeç, shoku i tij, Gerti Goxhaj, 33 vjeç dhe Besnik Sulku, 34 vjeç, i cili ishte njëri prej atentatorëve. Burimet thanë në atë kohë se objekti i këtij atentati ishte shtetasi Mentor Lufi. Policia ndaloi 3 persona, dy nipat e Lufit, Markelian dhe Klevis Doçi, që dyshohet se janë kundërpërgjigjur me armë pasi është qëlluar xhaxhai i tyre dhe shtetasi italian Salvatore Lettizia, i konsideruar si vrasës me pagesë, i cili shoqërohej me atentatorin Besnik Sulku, i cili po ashtu mbeti i vrarë.

Sipas veprimeve të para që grupi hetimor ka kryer në vendin e ngjarjes, rezultoi se dy grupe personash, me precedentë të mëparshëm  penal kanë pasur shkëmbim zjarri mes njëri-tjetrit. Mentor Lufi së bashku Gerti Goxhaj kanë qenë të ulur në një kafe pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Jashtë lokalit kanë qenë duke pritur dy nipat e Mentor Lufit, Markelian dhe Klevis Doçi, brenda një makine tip “Tuareg” që qëndronte e parkuar. Pasi kanë dalë nga kafja, Mentor Lufi ka hipur në mjetin tip “BMW” me targa AA 001 IK si pasagjer dhe drejtues mjeti ka qenë Gerti Goxhaj. Ndërkohë pas tyre vinte mjeti tip “Touareg” me targa AA 097 KE, me të cilin udhëtonin dy nipat e Lufit. Në momentin kur mjeti tip “BMW” ka filluar lëvizjen, në këmbë kanë qenë dy shtetas, të cilët kanë hapur zjarr duke  qëlluar me pistoleta në drejtim të dy shtetasve që udhëtonin në këtë makinë. Burimet zyrtare të Policisë thanë se në këtë kohë janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dy nipat e Mentor Lufit, duke goditur me mjet një nga autorët e dyshuar, shtetasin italian Salvatore Lettizia e më pas edhe Besnik Sulkun, i cili hapi zjarr i pari ndaj xhaxhait dhe mikut të tij.

Nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda është arritur në përfundimin se ngjarja e ndodhur më 27 maj 2015 në Tiranë është vijim i një konflikti të nisur më parë po në kryeqytet, në dhjetor të vitit 2014 dhe që ka vazhduar në Holandë, në prill 2015 e më tej, është shoqëruar me ngjarjen për të cilën akuzohen tre të pandehurit.

Në bazë të veprimeve hetimore, Prokuroria për Krime të Rënda i paraqet Gjykatës dinamikën e ngjarjes, e cila është rindërtuar në bashkëpunim edhe me autoritetet holandeze. Në dhjetor 2014, shtetasi Mentor Lufi (Doçi) plagoset me armë zjarri në zonën e ish-Stadiumit “Dinamo”, në Tiranë dhe autorët largohen. Shënjestra e atentatit, Lufi, ka dyshuar se sulmi ndaj tij është organizuar nga vëllezërit Durim dhe Besnik Sulku. Ndërmjet Mentor Lufit dhe vëllezërve Sulku kishte nisur një konflikt në Holandë, ku ata udhëtonin dhe qëndronin shpesh.

Pas atentatit me pasojë plagosjen, Lufi organizon nipat e tij, Markeljan dhe Klevi Doçi, për t’u hakmarrë. Në Prill 2015, dy vëllezërit Doçi i bëjnë atentat me armë Durim Sulkut në qytetin Ridderkerk të Holandës. Nga veprimet hetimore të autoriteteve holandeze, rezulton se Durim Sulku gjendej në një automjet tip Smart, kur është qëlluar për vdekje disa herë me pistoletë nga Markeljan Doçi, i cili ishte i shoqëruar nga vëllai i tij, Klevi Doçi, gjithashtu i armatosur.

Pas atentatit në Holandë, vëllezërit Doçi rikthehen në Shqipëri, duke iu shmangur autoriteteve hollandeze. Pas thuajse dy muajsh nga vrasja në Hollandë, konkretisht pasditen e datës 27 Maj 2015, Mentor Lufi, dy nipat e tij Markeljan e Klevi Doçi, si edhe miku i tyre, Gerti Goxhaj, gjendeshin në një lokal pranë Fakultetit të Shkencave, në bulevardin “Zogu i Parë” në Tiranë.

Dosja e Prokurorisë

Sapo kanë hipur në automjete, në dy pjesët anësore të makinës së parë, janë afruar dy persona të armatosur, të cilët kanë qëlluar personat që gjendeshin në bordin e saj, konkretisht Mentor Lufin (Doçi) dhe Gert Goxhaj. Nga goditjet me armë ka vdekur në vend Goxhaj dhe është plagosur rëndë Lufi, i cili vdiq pak çaste më vonë. Në momentin e goditjes me armë, Markeljan Doçi afron me shpejtësi makinën drejt atentatorëve, duke përplasur fillimisht njërin prej tyre. Ky i fundit, i cili më pas rezultoi se ishte Besnik Sulku, ka qëlluar me pistoletë në drejtim të mjetit të dytë, por pa u shkaktuar dëme tek vëllezërit Markeljan dhe Klevi Doçi. Të gjendur nën goditjen e armës tip pistoletë nga ana e Besnik Sulkut, Markeljani, gjithashtu i armatosur me pistoletë, ka reaguar duke qëlluar me armë. Markeljani dhe Sulku kanë vijuar të qëllojnë njëri-tjetrin, derisa Besnik Sulku ka mbetur i vdekur, pak metra larg nga automjetet.

Salvatore Letizia konsiderohet si kapoja i një prej klaneve mafioze të Camorra-s, që njihet me emrin Piccolo-Letizia. Gjithashtu ai është nipi i Armando Letizia, aktualisht 61 vjeç, i arrestuar me bujë në Napoli në vitin 2009, si një prej urdhëruesve kryesorë të vrasjeve për llogari të Kamorras dhe pjesë e një prej familjeve më të mëdha mafioze. Në vitin 2001, ditën e Shën Valentinit, ai është plagosur në këmbë, gjatë një shkëmbimi zjarri me automatik, ku mbeti i vrarë në derën e shtëpisë shoku i tij, Ferdinando Latino. Kjo ngjarje ndodhi gjatë një përleshjeje të armatosur mes dy klaneve të Kamorras, klanit Piccolo- Letizia dhe atij Belfiore. Policia italiane arrestoi për këtë ngjarje 10 persona, ndërsa Salvatore Letizia arriti t’u shpëtonte prangave. Por 6 vjet më vonë, nuk e pati këtë fat. Më 21 janar të vitit 2007, ai u arrestua në një zonë industriale të Napolit, bashkë me mikun e tij Giovanni Timbone, pasi u kapën me pistoleta që ua kishin fshirë numrat serialë. Ata u ndaluan nga grupi i Antimafias dhe në momentin e arrestimit Letizia mbante veshur një jelek antiplumb. Mediat italiane kanë shkruar disa herë rreth bëmave të tij, duke e konsideruar si një person mjaft të rrezikshëm, vrasës gjakftohtë dhe shumë të fuqishëm, i mbështetur nga klani kamorrist që ai drejtonte.

Megjithatë, atë që nuk arriti ta bënte drejtësia italiane e bëri drejtësia shqiptare, duke e mbyllur Lettizian në burg përjetë.

Kjo është një panorame vetëm e atyre krimeve që janë dokumentuar si të kryera nga vrasës të huaj me pagesë. Por të dhënat operative të Policisë flasim edhe për ngjarje të tjera, ende të pazbardhura, për të cilat ka dyshime që janë realizuar nga shtetas të huaj, por edhe nga Kosova.

Vitet e fundit, dëshmitë e disa bashkëpunëtorëve të drejtësisë, por edhe bisedat që dolën në skenë pas zbërthimit të platformave të enkriptuara Encrochat dhe SKY, treguan se autoritetet tashmë nuk kanë përballë vetëm disa kriminelë apo me grupe që veprojnë në mënyrë lokale, vetëm në Shqipëri apo zona të izoluara. Tashmë autoritetet ligjzbatuese po përballen me një krim të organizuar që lëviz në Europë, qarkullon sasi të konsiderueshme parash dhe përveç eksportimit të parave të krimit, po eksporton edhe kriminelë, vrasës profesionistë siç mendohet të ketë qenë Salvatore Letizzia apo Eftimio Eftimiu. Shumë vrasje që sot janë pa autor, ashtu sikurse është edhe ekzekutimi i bankierit Artan Santo, janë verifikuar edhe në këtë drejtim. Si krime të realizuara nga vrasës të huaj me pagesë.

Shqipëria është tashmë një vend shumë i ekspozuar ndaj fenomeneve më të sofistikuar të krimit të organizuar sidomos të atij italian, por jo vetëm. Kur grupeve kriminale u priten burimet, infrastruktura dhe e ndjejnë veten të ekspozuar përballë drejtësisë, edhe për shkak të shumë vrasësve shqiptarë që u kthyen në të penduar, për të realizuar qëllimet e tyre, synojnë vrasës që është më e vështirë të identifikohen, por edhe të kapen.

Megjithatë, siç e thamë edhe në fillim të këtij emisioni, koha ka treguar se në fakt asnjë krim nuk është i përsosur. Dikur do të gjendet me doemos një provë. Dikush, diku patjetër që mund të ketë parë e mund të dijë diçka.

Edhe vrasësi më profesionist e ka një pikë të dobët. Ndodh që edhe ai gabon.

/Emisioni “Gjërat Tona”

Nga Kategoria

Aktualitet

Ankimimi në Apel/ I akuzuar për korrupsion, Veliaj ofron garanci pasurore për të dalë nga qelia

8 Qershor, 2025
Aktualitet

(Video) IKMT zbarkon në jug mes sezonit turistik. Fadromat shembin ndërtime pa leje mes pushuesve

8 Qershor, 2025
Aktualitet

(EMRAT) Shpërndanin drogë të forta në Mykonos, në pranga 3 shqiptarë. Një prej tyre i kërkuar nga SPAK

8 Qershor, 2025
Iliria News

Iliria News është platformë mediatike e pavarur që synon të jetë tempull i lajmit të vërtetë dhe mendimit të lirë, kryesisht ndër shqiptarët, kudo ku ndodhen...

NIPT: M51315154P
REDAKSIA: [email protected]

Lexo sipas rubrikave

  • Aktualitet
  • Analizë
  • Bota
  • Ekonomi
  • Ekstra
  • Kosova
  • Kryesore
  • Kulturë
  • Lajme
  • Politikë
  • Rajoni
  • Shëndeti
  • Showbiz
  • Shqipëri
  • Sporti
  • Teknologji
  • Video

Na ndiqni

  • About
  • Advertise
  • Privacy & Policy
  • Contact

© 2025 iliria news. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
Asnjë rezultat
Shiko të gjitha rezultatet
  • KREU
  • Shqipëri
    • Aktualitet
    • Ekonomi
    • Politikë
  • Kosova
  • Rajoni
  • Bota
  • Analizë
  • Sporti
  • Showbiz
  • Video
  • Ekstra
    • Shëndeti
    • Kulturë
    • Teknologji

© 2025 iliria news. Të gjitha të drejtat e rezervuara.