Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) do të prezantojë më 26 janar, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, strategjinë e saj për periudhën 2026–2030, të titulluar “Vision To Victory”. Ky dokument synon të përcaktojë drejtimin dhe objektivat kryesore për zhvillimin e futbollit në Shqipëri në katër vitet e ardhshme.
“Vision To Victory” përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një modeli të qëndrueshëm dhe afatgjatë për futbollin shqiptar. Strategjia fokusohet në forcimin e strukturave në të gjitha nivelet, duke përfshirë bazën dhe edukimin, garat dhe ekipet kombëtare, futbollin e femrave, si dhe përmirësimin e infrastrukturës dhe qeverisjes. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet gjithashtu marrëdhënieve me publikun dhe rritjes së përgjegjshmërisë sociale në sport.
Në një periudhë kur futbolli shqiptar ka shënuar zhvillime të rëndësishme dhe ka fituar përvojë të vlefshme në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, FSHF synon të konsolidojë këtë progres përmes një vizioni të qartë, të strukturuar dhe të orientuar drejt së ardhmes. Strategjia është hartuar në përputhje me standardet dhe politikat e UEFA-s dhe FIFA-s, duke synuar një mbështetje më të fortë dhe një prezencë më konkurruese në arenën ndërkombëtare.
Gjatë prezantimit, FSHF do të bëjë publike objektivat kryesore, shtyllat strategjike dhe prioritetet që do të udhëheqin zhvillimin e futbollit shqiptar mbi baza të forta dhe të planifikuara mirë. “Vision To Victory” nuk paraqitet vetëm si një plan orientues, por si një angazhim konkret për rritjen e konkurrencës, profesionalizmit dhe qëndrueshmërisë së futbollit në Shqipëri.










