Tiranë, 24 Maj 2025 – SPAK dhe antimafia italiane kanë zbardhur detaje të reja tronditëse nga hetimet që çuan në shkatërrimin e grupit kriminal të njohur si “Troplinët”, të udhëhequr nga Xhevdet Troplini, i njohur ndryshe si Poja. Në kuadër të operacionit të koduar “Ura”, janë dokumentuar biseda të koduara mes anëtarëve të dyshuar të grupit, të cilat hedhin dritë mbi trafikun ndërkombëtar të drogës.
Çfarë “çokollate” po shiste grupi?
Përmes aplikacionit të enkriptuar Sky ECC, Orges Molla dhe Sueld Elezi, të dy nën hetim, flasin për çmimet dhe shpërndarjen e drogës. Biseda duket si një komunikim i zakonshëm mes të njohurish, por në të vërtetë përshkruan qartë transaksione droge, të kamufluara me terma si “çokollatë”, “bukë” dhe “e bardha”.
“Vëlla, sa do për këtë çokollatën… komerciale?”, pyet Elezi.
“3.5… ty do të lë 3,300, që mos ta kuptojë ai çmimin, prandaj ta shkruajta me shkronja…”, i kthehet Molla.
Çmimet dhe trafiku drejt Italisë
Nga bisedat del në pah se trafikimi bëhej me sasi të mëdha dhe shpërndarja synonte tregun italian, ku çmimet rriteshin ndjeshëm. Në një prej bisedave, përmendet se “erdhi për të zezën në Kalabri”, ndërsa një tjetër klient përshkruhet si “merr 10 bukë në javë… të bardhë”.
Pagesat bëheshin në dorë ose me këste, me insistim për cilësi të lartë dhe korrektësi në dorëzime. “60 ka cash sot ky, për 5 ditë të jap të tjerat”, thuhet në një nga fragmentet.
Operacioni “Ura”: 52 urdhër-arreste mes Shqipërisë dhe Italisë
Operacioni “Ura”, i zhvilluar në bashkëpunim mes SPAK dhe antimafias së Barit, vuri në shënjestër grupin e Troplinëve, duke firmosur 52 urdhër-arreste në Shqipëri dhe Itali. Në kërkim janë shpallur edhe dy nipat e Xhevdet Troplinit: Elvis Doci (Visi i Pojës) dhe Indrit Tafili.
Kodet e komunikimit: Sky ECC, “varësa” dhe “autistë” në shërbim të drogës
Gjuha e përdorur tregon një sistem të sofistikuar komunikimi dhe shpërndarjeje, ku çdo fjalë e thjeshtë ka domethënie të koduar:
“Çokollatë” = hashash me cilësi të lartë
“Bukë” = kokainë
“Autist” = shofer i grupit që s’pyet dhe s’komenton
“Varëse” = pajisje për të transportuar drogën në mënyrë të fshehur