Dy figura të politikës shqiptare, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kanë përcjellë urimet e tyre për Vitin e Ri 2026, edhe pse ndodhen në paraburgim.
Erion Veliaj iu drejtua qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë me një mesazh të gjatë e emocional, ku uroi shëndet, lumturi, arritje dhe shpresë për vitin e ri. Në fjalën e tij, ai vuri theks të veçantë te solidariteti dhe mbështetja për shtresat më në nevojë të shoqërisë.
“Një urim zemre për të pamundurit, për të sëmurët, për ata që ndihen të braktisur, për familjet në vështirësi, për emigrantët që punojnë me djersë larg shtëpisë – ju uroj forcë dhe ngrohtësi këtë vit të ri.”, shkruan Veliaj.
Ndërkohë, edhe ish-presidenti Ilir Meta përcolli një mesazh urimi për qytetarët shqiptarë, duke u dëshiruar shëndet, paqe, gëzim dhe mbarësi. Meta e përshkroi vitin 2026 si “vitin e bashkimit, të guximit qytetar dhe të ringjalljes së shpresës”, duke nënvizuar nevojën për përballje të vendosur me sfidat dhe angazhim për një Shqipëri më të drejtë, më sociale dhe më njerëzore. Ai theksoi rëndësinë e barazisë para ligjit, respektimit të lirive dhe dinjitetit njerëzor, si dhe krijimit të mundësive që çdo qytetar të jetojë me siguri dhe mirëqenie në vendin e tij.











