Socialistja Elisa Spiropali ka bërë një postim në Facebook në prag të Pashkës Ortodokse.
Deputetja uron besimtarët duke theksuar nevojën për më pak urrejtje, mllef dhe përçarje në shoqëri.
Pas përplasjeve të fundit brenda PS, duket se postimi i ish-ministres këtë herë shkon përtej urimit tradicional, duke u parë si një mesazh për klimën e brendshme në mazhorancë.
Postimi i Spiropalit
“Krishti u ngjall!
Nga e premtja e zezë e sakrificës, në të dielën e madhe të Pashkës, me ngjalljen e Tij, zgjohet shpresa e të vuajturve, të shtypurve, të vetmuarve, të sëmurëve, të izoluarve, ngushëllimi i të gjithëve që vjen nga besimi se s’ka natë që s’ka të gdhirë, sado qoftë e gjatë.
Për çdo vuajtje ka një lehtësim, për çdo padrejtësi ka një shpërblim, për çdo ego të sëmurë ka një çmim.
Në këtë Vigjilje të Pashkës Ortodokse, për njerëzit e vendit tonë të jashtëzakonshëm, uroj sa më pak mllef, mosmarrëveshje, hidhërim, makutëri, urrejtje, dhe sa më shumë mirëkuptim, liri, mbrothësi, punë dhe begati.
Ta duam më shumë njëri-tjetrin dhe ta trajtojmë me më shumë përkujdesje tokën tonë të përbashkët.
Gëzuar, Pashkë të bekuara!”











