Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se urdhër arrestet janë bërë si ‘ftesa’. Gjatë fjalës së tij Rama nënvizoi se “nuk duhet t’i shkojë më ndër mend askujt që me fuqinë e prokurorit të marrë peng një funksion Kushtetues’
“Të bësh 40 kontrolle banesash ditën e Vitit të Ri do të thotë të mos kesh asnjë ide për efektin psikologjik mbi shoqërinë. Kohën revolucionare e kemi stimuluar vetë dhe nuk kam asnjë pendesë për këtë. E di shumë mirë që shumë prej jush janë të zhgënjyer, unë jo sepse 100 herë të kthehesha 100 herë do të bënim të njëjtën gjë. Përpjekja për një administratë të pavarur është një përpjekjen për një administratë eficente. Është bërë e patolerueshme ajo që fletët e arresteve shpërndaheshin si të ishin ftesa”, tha ai.
Gjithashtu Rama theksoi se Kodi Penal nuk bëhet për të hequr lirinë, por për ta mbrojtur atë
“Tradita jonë është e tmerrshme është armiku ynë më i madh. Thirrja jonë e brendshme për gjak, për të parë tjetrin më këmbët lart dhe kokën poshtë vjen nga e kaluar dhe këtë duhet ta trajtojmë. Por duhet theksuar se nisma adreson një problem që nuk duhet të shfaqet më. Nuk duhet t’i shkojë më ndër mend askund që me fuqinë e prokurorit të marrë peng një funksion Kushtetues. Rasti konkret është në proces në Kuvend dhe do trajtohet me gjithë përgjegjësinë që kemi si shumicë qeverisëse. Dhe kush i lidh këto të dyja, edhe në aspektin kohor parlamenti do shprehet përpara për imunitetin. Për aspektin tjetër nuk është kjo dita për të folur. Do flasim në momentin e duhur kur të bëhen të gjitha procedurat e tjera”, tha ai.










