UEFA po përgatit një kallëzim penal ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për pretendime mbi keqmenaxhimin e fondeve në lidhje me projektin “FIFA Forward Enterprise”, që synonte përfshirjen e kapitalit privat në menaxhimin e të drejtave komerciale të kompeticioneve të FIFA-s.
Sipas dokumenteve të siguruara nga EFE, UEFA ka kërkuar autorizim nga një gjykatë amerikane për të marrë dokumente dhe komunikime të lidhura me projektin, të cilat më pas mund t’i dorëzohen drejtësisë zvicerane.
Organi europian kërkon informacione mbi mënyrën se si u zhvillua dhe miratua projekti, vlerësimet financiare, komunikimet me investitorët dhe diskutimet e brendshme në FIFA. UEFA pretendon gjithashtu se Infantino nuk është konsultuar siç duhet me konfederatat përpara se plani të bëhej publik.
Projekti parashikonte krijimin e një kompanie të re për menaxhimin e të drejtave komerciale të FIFA-s, me një vlerësim rreth 20 miliardë dollarë dhe mundësinë që deri në 20% e kapitalit t’u hapej investitorëve privatë.
UEFA e kishte paralajmëruar FIFA-n që më 31 korrik për mundësinë e veprimeve ligjore, ndërsa presidenti Aleksander Ceferin kishte kërcënuar më herët edhe me bojkot të kompeticioneve të FIFA-s.











