UEFA ka vendosur sanksione ndaj Real Madridit pas një incidenti gjatë ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Benficës. Vendimi është marrë nga Komiteti i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s.
Gjatë ndeshjes, një tifoz në sektorin “Grada de Animación” (tribuna jugore) u filmua duke bërë një përshëndetje naziste. Real Madridi reagoi menjëherë duke e identifikuar dhe larguar tifozin nga stadiumi.
Megjithatë, pavarësisht reagimit të shpejtë të klubit, UEFA vendosi të ndëshkojë Real Madridin. Komiteti vendosi mbylljen e pjesshme të tribunës jugore për një ndeshje, si dhe një gjobë financiare.
Megjithatë, mbyllja e tribunës është pezulluar për momentin, pasi klubi është vendosur në periudhë prove për një vit. Kjo do të thotë se nëse ndodh një incident i ngjashëm gjatë këtij afati, sanksioni do të zbatohet menjëherë.











