Prokurori Klodian Braho u zgjodh kreu i ri i SPAK, duke marrë 7 vota pro nga 11 anëtarë që janë në total.
Braho ka qenë pjesë e sistemit të drejtësisë që prej vitit 2007, ka qenë ndërkohë një nga figurat kryesore të SPAK-ut.
Ai drejton ndërkohë Seksionin e Korrupsionit dhe është autor i hetimeve ndaj disa prej dosjeve më të rëndësishme të viteve të fundit.
Braho ka hetuar çështjen e inceneratorit të Elbasanit, për të cilën lëshoi urdhër-arreste për persona të përfshirë në skemën korruptive, si dhe ndau hetimin për ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj.
Mes çështjeve të tjera të rëndësishme janë dosja “5D”, ku u dërguan në gjyq ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, si dhe “Toyota Auris”, një dosje që vijon të hetohet në disa pista. Ai është gjithashtu pjesë e grupit të prokurorëve që ngritën akuzën për ish-ministrin Fatmir Mediu në lidhje me tragjedinë e Gërdecit.










