Kujtim Cakrani, avokati dhe mbrojtësi ligjor i ish-presidentit Ilir Meta, është dhunuar ditën e sotme rreth orës 13:30 në ambientet e një karburanti në qytetin e Vlorës.
Sipas vetë avokatit Cakrani, dy persona të panjohur për të e kanë sulmuar në momentin që ai po furnizohej me karburant.
Fillimisht, ata e kanë ofenduar dhe sharë, ndërsa dyshohet se konflikti ka nisur për shkak të një parkimi , edhe pse avokati shprehet se nuk beson se ky ka qenë shkaku i vërtetë.
Më pas, dy personat kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij, duke e goditur me një mjet prerës në pjesën e pasme të kokës.
Si pasojë, Cakrani ka pësuar një frakturë të rëndë në pjesën e pasme të kokës dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ndodhet i shtruar në reanimacion.
Burime spitalore bëjnë me dije se avokati ka dëmtime serioze në kokë, dhe aktualisht nuk arrin të qëndrojë në këmbë.
Ndërkohë, në spital pritet mbërritja e ekspertëve mjeko-ligjorë, si edhe e përfaqësuesve të policisë, të cilët do të marrin dëshminë e avokatit dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Ishin dy çuna me një makinë, të cilët pasi më provokuan, më dhunuan fizikisht. Nuk i njoh ata. Me njërin po bisedoja, tjetri më goditi pas koke. Ka ndodhur në hyrje të Vlorës, në një pikë karburanti. Nuk e kam idenë. Erdhën aty provokuan dhe më pas filluan me fjalë fyese. Ata dolën nga makina, më dhunuan.
Ka qenë me mjet prerës. Më goditën pas koke. Unë isha ulur në makinë. Njëri nga dritarja po më ofendonte, kurse tjetri hyri nga dera e pasagjerit dhe më goditi.
Më thanë: ‘Pse ke parkuar keq makinën. Ke zënë gjithë karburantin’. Pra ishte një mënyrë, një formë provokimi. Nuk i njoh të dy. Ishin moshë e re”, tha Cakrani për Top Channel.











