Tofik Jakupi është një 28-vjeçar nga Shqipëria dhe baba i dy fëmijëve, i cili është dënuar me 5 vite burgim në Mbretërinë e Bashkuar. Ai u arrestua nga autoritetet vendase pasi u kap me 1,300 paund, më shumë se 6 gram kanabis, 35 pako kokainë si dhe një pasaportë italiane të falsifikuar, teksa po qarkullonte me një automjet të marrë me qira.
Në gjykatë u tha se Jakupi kishte ndihmuar në ngritjen e një ‘shtëpie bari’ në Northamptonshire dhe se në momentin që është kapur, po transportonte një pjesë të drogës drejt Greater Manchester ku dhe ishte banues. Sipas prokurorit Alex Wolfson, i pandehuri i dërgonte fitimet nga trafiku i drogës në Shqipëri për të mbështetur familjen e tij.
“Ky nuk është dikush që është i varur nga droga, por një person që shpërndan drogë dhe para si pjesë e një grupi të krimit të organizuar. Ai po udhëtonte në një makinë të shtrenjtë me qira në një autostradë të madhe dhe ishte qartësisht i besuar nga grupi.
Nuk e di nëse je këtu ligjërisht apo ilegalisht, por do të deportohesh pas vuajtjes së dënimit. Ke një familje në Shqipëri dhe është për të ardhur keq që nuk qëndrove atje për të punuar dhe për të ndërtuar atë vend, në vend që të vije këtu për të kryer krime”, u shpreh gjatë seancës gjykatësi Martin Hurst.
Tofik Jakupi do të deportohet drejt Shqipërisë menjëherë pas përfundimit të dënimit.









