Jude Bellingham nuk e ka të garantuar vendin si titullar te Anglia në Kupën e Botës. Trajneri Thomas Tuchel ka bërë të qartë se mesfushori i Real Madrid është një nga kandidatët kryesorë për formacion, por konkurrenca në skuadër është shumë e madhe.
“Po, ai duhet të luftojë për vendin e tij. Jude është një nga titullarët, ai e di këtë, por kemi 14 ose 15 lojtarë që mund të nisin nga minuta e parë”, u shpreh Tuchel.
Që nga marrja e drejtimit të Anglisë në janar 2025, Bellingham ka nisur vetëm katër ndeshje si titullar, ndërsa është aktivizuar edhe tre herë nga stoli. Tuchel ka preferuar shpesh Morgan Rogers të Aston Villa, i cili ka qenë pjesë e 12 nga 13 ndeshjet nën drejtimin e tij.
Megjithatë, trajneri gjerman vlerësoi gjendjen aktuale të Bellingham pas rikthimit nga dëmtimi. Ai theksoi se mesfushori duket i freskët, me energji dhe në formë të mirë para nisjes së Botërorit.
Bellingham u aktivizua në pjesën e dytë në miqësoren ndaj Zelandës së Re dhe mori edhe shiritin e kapitenit. Sipas Tuchel, lojtari ka cilësitë dhe karakterin e duhur për të qenë vendimtar, por duhet të vazhdojë të tregojë veten në një grup me shumë konkurrencë.











