Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj Iranit, duke deklaruar se çdo përpjekje për të ndërprerë rrjedhën e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit do të përballet me një reagim të fuqishëm ushtarak nga SHBA.
Në një postim në Truth Social, Trump theksoi se Uashingtoni do të reagojë menjëherë nëse Teherani tenton të pengojë kalimin e ngarkesave të naftës në këtë rrugë detare strategjike.
“Nëse Irani bën ndonjë veprim që ndalon rrjedhën e naftës në Ngushticën e Hormuzit, do të goditet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës 20 herë më fort se sa është goditur deri më tani”, deklaroi presidenti amerikan.
Trump shtoi se SHBA ka kapacitetin për të goditur objektiva që, sipas tij, mund të shkatërrohen lehtësisht.
Retorikë e ashpër: Vdekje, zjarr dhe zemërim
Në të njëjtin mesazh, presidenti amerikan përdori tone edhe më të forta, duke paralajmëruar se në rast përshkallëzimi, SHBA mund të godasë objektiva që do ta bënin “pothuajse të pamundur” rindërtimin e Iranit.
“Ne gjithashtu do të neutralizojmë lehtësisht objektiva që mund të shkatërrohen dhe që do ta bëjnë pothuajse të pamundur që Irani të rindërtohet ndonjëherë si komb. Vdekje, zjarr dhe zemërim do të mbizotërojnë mbi ta”, shkroi ai.
Megjithatë, Trump shtoi se shpreson që një skenar i tillë të mos ndodhë.
“Shpresoj dhe lutem që të mos ndodhë”, theksoi ai.
Mesazh edhe për vendet që varen nga Hormuzi
Trump e përshkroi paralajmërimin si një veprim që nuk lidhet vetëm me interesat e SHBA-së, por edhe me vendet që varen nga siguria e lundrimit në këtë korridor detar.
Siç tha ai, kjo është një “dhuratë” për Kinën dhe shtetet e tjera që shpesh përdorin rrugën detare për të transportuar burime energjie.
“Kjo është një dhuratë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kinën dhe për të gjitha kombet që përdorin Ngushticën e Hormuzit”, deklaroi presidenti amerikan.
Në përfundim, ai shprehu shpresën se ky qëndrim do të vlerësohet nga qeveritë dhe tregjet që varen nga kalimi i lirë dhe i sigurt i naftës nëpër rajon.











