Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar se do të zbatojë “100%” kërcënimet për vendosjen e tarifave të reja, nëse nuk arrihet një marrëveshje lidhur me Groenlandën, duke rritur ndjeshëm tensionet mes Uashingtonit dhe aleatëve evropianë.
Në një intervistë për NBC News, Trump shmangu të komentojë nëse SHBA do të përdorte forcë ushtarake për të marrë nën kontroll Groenlandë, duke u përgjigjur shkurt: “asnjë koment”. Megjithatë, ai e bëri të qartë se synimi i tij për këtë territor strategjik mbetet serioz.
“Evropa duhet të përqendrohet te lufta në Ukrainë, jo te Groenlanda,” deklaroi Trump, duke shtuar se bota, sipas tij, nuk është e sigurt nëse Shtetet e Bashkuara nuk kanë “kontroll të plotë dhe total” mbi ishullin arktik.
Këto deklarata vijnë pas një bisede të Trump me kryeministrin e Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, të cilit i ka dërguar edhe një letër, ku sinjalizon qartë ambicien për të marrë nën kontroll Groenlandën.
Në intervistë, Trump u shpreh gjithashtu i zhgënjyer që nuk ka fituar Çmimin Nobel për Paqen, duke pretenduar se Norvegjia ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi këtë çmim. “Norvegjia e kontrollon plotësisht atë, pavarësisht se çfarë thonë,” tha ai për NBC News.








