Mbrëmjen e djeshme, emisioni investigativ “Fiks Fare” solli historinë e tre familjeve në fshatin Allgjatë, të cilat po përballen me një situatë alarmante. Sipas tyre, banesat e tyre rrezikojnë të shemben për shkak të rrëshqitjeve të tokës, një problem që ka lindur në zonën ku po ndërtohet autostrada Thumanë–Kashar.
Banorët kanë raportuar se toka ka lëvizur ndjeshëm për disa javë dhe çarjet janë thelluar, duke u bërë një kërcënim për jetën e tyre. Përkundër kësaj, ata theksojnë se nuk kanë marrë ndihmë konkrete nga autoritetet. Jemin Allgjata, një nga banorët e prekur, shprehet se kanë marrë vetëm një njoftim nga Njësia Administrative Vaqarr, që kërkon që ata të lënë banesën e tyre, por pa ofruar një zgjidhje se ku mund të strehohen. Ai ngre shqetësimin se takimet me përfaqësues të institucioneve, përfshirë policinë dhe firmën ndërtuese, nuk kanë rezultuar në ndonjë asistencë konkrete, vetëm paralajmërime.
“Na thonë të dalim nga shtëpia, po ku të shkojmë? Ne kemi bagëti, kemi gjithë jetën këtu. Nuk na jep askush përgjigje,” thotë Jemin, ndërsa tregon për çarjet alarmante pranë shtëpive të tyre.
Fiks Fare ka kontaktuar edhe Njësinë Administrative Vaqarr. Administratorja, e cila nuk ndodhej në zyrë kur një gazetare e emisionit u pranishme, njoftoi se banorët duhet të largohen sipas kërkesës së ARRSH-së, por theksoi se në fakt ata “nuk janë realisht në rrezik”. Ajo pranoi se roli i njësisë ishte vetëm të përcillte njoftimin dhe se nuk kishte informacion se ku do duhet të strehohen familjet. Megjithatë, ajo premtoi se do të rilidhet me kompaninë ndërtuese për të gjetur një zgjidhje të përkohshme.
Banorët, megjithatë, vazhdojnë të mbajnë letrën që i urdhëron të braktisin shtëpitë e tyre, pa ndonjë informacion të qartë për alternativat e strehimit. Situata mbetet kritike dhe e paqartë, me familjet që përjetojnë frikë dhe pasiguri të vazhdueshme.











