Nga Marjana Legisi
Çdo mëngjes në Shqipëri… dikush zgjohet, dikush pushon së jetuari.
Në një qytet ndizen dritat e policisë… në një tjetër, heshtja mbulon një trup.
Një krismë në mëngjes. Një aksident në rrugë. Një grindje që përfundon në tragjedi.
Kështu janë ditët tona ne këtë Shqipëri te vogël, me lajme që tashmë fatkeqësisht duket se nuk po trondisin më askënd.
Vetëm dy ditët e fundit vendi është tronditur nga disa ngjarje te renda.
Në Durrës djali vret babanë ne tavolinën e bukës.
Në Tiranë kamarieri qëllon për vdekje kuzhinierin ne vendin e punës.
Në Berat një turist vritet se nuk paguan xhiron mbi një kalë.
Në Vlorë një 17-vjeçar përplasët për vdekje ndërsa familjaret ngrenë akuzat.
Në Shkodër shpërthen tritoli ne një makine ku një 38-vjeçar eshte plagosur rende.
Në vendin ku jeta vlen aq sa një fjalë e keqkuptuar, ku një debat shndërrohet në vrasje, ku zemërimi është më i shpejtë se mendimi… këtu, dhuna nuk është më rastësi. Është pjesë e zakonit tonë të përditshëm.
Fëmijët rriten duke parë lajme që flasin për vdekje. Të rinjtë shohin dhunën si mënyrë mbijetese. Të rriturit… janë lodhur nga frika, nga padrejtësia, nga heshtja.
Kështu, dita kalon. Një tjetër jetë humbet. Një tjetër nënë qan. Një tjetër emër shtohet në listën e kronikës së zezë. Efekte
Por fatkeqësisht duket se askush s’pyet më “pse”. Apo ndoshta sepse pyetjet kanë mbetur pa përgjigje. Dhe ndërsa ne flasim për progres e integrim… diku tjetër një njeri bie pre e dhunës, pa e ditur se ka qenë lajmi i radhës.
Ajo qe tashme dukshëm konstatohet është se shoqëria jonë po mësohet ne mos është mësuar me dhunën. Po mësohet me frikën. Po mësohet me vdekjen. Dhe kjo padiskutim është humbja më e madhe.
Sepse kur mësosh të jetosh me tragjedinë, nuk jeton më – thjesht mbijeton.
Në këtë vend, siguria është luks.
Drejtësia premtim.
Dhe jeta… një fije e hollë që këputet pa paralajmërim.
Dhe tragjedia më e madhe… nuk është ajo që ndodh çdo ditë.
Por ajo që nuk na prek më.










