Mesfushori gjerman Angelo Stiller është kthyer në një nga emrat më të kërkuar në tregun e transferimeve, me Real Madrid dhe Manchester United që po përballen për firmën e lojtarit të Stuttgart.
Sipas raportimeve, Real Madrid po kërkon një futbollist me karakteristika të ngjashme me Toni Kroos pas largimit të tij, dhe Stiller shihet si profili ideal për ta mbushur atë boshllëk. Nga ana tjetër, Manchester United e konsideron gjermanin si një zëvendësues të mundshëm për Casemiro, i cili pritet të largohet.
Stuttgart është i gatshëm ta lejojë largimin e yllit të vet, por jo për më pak se 65 milionë euro, edhe pse klauzola e lirimit të Stiller është 40 milionë euro. Detaji interesant është se klubi gjerman ka të drejtën ta anulojë këtë klauzolë duke i paguar lojtarit 2 milionë euro kompensim, një element që mund të ndikojë shumë në negociatat e ardhshme me klubet e interesuara.
Këtë sezon, Stiller ka zhvilluar 44 ndeshje me Stuttgart, ka shënuar 1 gol dhe ka dhënë 10 asistime. Kontrata e tij me klubin është e vlefshme deri në vitin 2028, ndërsa vlera e tij në treg, sipas Transfermarkt, është 45 milionë euro.











