Një krim tronditës ka shkaktuar reagime të forta në Austri dhe Ukrainë. Danilo Kuzmin, 21 vjeç, djali i zëvendëskryetarit të bashkisë së Kharkivit, Serhii Kuzmin, u rrëmbye, u torturua për orë të tëra dhe më pas u dogj brenda një automjeti në Vjenë. Motivi i krimit dyshohet të ketë qenë grabitja e kriptomonedhave me vlerë rreth 200 mijë dollarë.
I riu jetonte prej disa vitesh në Vjenë si student. Më 25 nëntor 2025 familja humbi kontaktet me të dhe vuri re se dy portofolet e tij digjitale ishin zbrazur. Më pas familjarët e denoncuan të riun sit ë zhdukur.
Në orët e para të 26 nëntorit, zjarrfikësit u thirrën pasi një makinë po digjej nën një urë në zonën Donaustadt. Brenda një Mercedes-i të zi me targa ukrainase u gjet një trup i karbonizuar, i identifikuar më pas si Danilo Kuzmin.
Autopsia tregoi se rreth 80% e trupit kishte djegie të rënda dhe shenja të shumta dhune, përfshirë fraktura në kokë dhe dhëmbë të thyer.
Autopsia tregoi gjithashtu se i riu kishte vdekur kur u dogj. Policia austriake konfirmoi se zjarri ishte vënë qëllimisht për të fshehur gjurmët e krimit.
Hetimet zbuluan se mbrëmjen e 25 nëntorit Kuzmin ishte takuar në një hotel luksoz në qendër të Vjenës me një 19-vjeçar ukrainas, shok dhe student në të njëjtin universitet.
Në parkingun nëntokësor ndodhi sulmi brutal, gjatë të cilit viktima u rrah rëndë për t’i nxjerrë kodet e aksesit në kriptomonedha. Pasi autorët siguruan fjalëkalimet, e transportuan Kuzmin në makinën e familjes dhe e dogjën në një zonë të izoluar.
Dy të dyshuarit, 19-vjeçari Bogdan Rinzhuk dhe 45-vjeçari Oleksandr Agoev, u arratisën drejt Ukrainës, por u arrestuan më 29 nëntor në Odesa pas bashkëpunimit të autoriteteve austriake dhe ukrainase. Gjatë arrestimit u sekuestruan shuma të mëdha parash në dollarë. Të dy janë paraburgosur dhe përballen me akuza të rënda për vrasje me paramendim, grabitje dhe torturë, që mund të çojnë deri në burgim të përjetshëm.
Autoritetet austriake përjashtuan çdo motiv politik, duke theksuar se krimi ishte thjesht financiar. Rasti konsiderohet një nga krimet më të rënda dhe tronditëse të viteve të fundit.








