Kompania kineze BYD është në prag të tejkalimit të Tesla-s së Elon Musk, duke u bërë për herë të parë prodhuesi më i madh në botë i automjeteve elektrike (EV) për nga shitjet vjetore.
Sipas të dhënave të publikuara të enjten nga BYD, shitjet e automjeteve tërësisht elektrike të kompanisë u rritën me gati 28% gjatë vitit të kaluar, duke arritur në mbi 2.25 milionë njësi.
Ndërkohë, Tesla pritet të publikojë shifrat zyrtare për vitin 2025 më vonë, por vlerësimet e analistëve sugjerojnë se kompania amerikane ka shitur rreth 1.65 milionë automjete gjatë vitit.
Nëse këto shifra konfirmohen, kjo do të shënonte herën e parë që BYD e tejkalon Tesla-n në shitjet vjetore globale, duke reflektuar një zhvendosje të rëndësishme në tregun ndërkombëtar të automjeteve elektrike.
Tesla ka kaluar një vit të vështirë, të shoqëruar me pritje të përziera për modelet e reja, shqetësime të investitorëve lidhur me angazhimet politike të Elon Musk, si dhe rritje të fortë të konkurrencës, veçanërisht nga prodhuesit kinezë. Marka si BYD, Geely dhe MG kanë ushtruar presion mbi rivalët perëndimorë duke ofruar automjete me çmime më të ulëta se markat tradicionale.
Në përpjekje për të frenuar rënien e shitjeve, Tesla prezantoi në tetor versione më të përballueshme të dy modeleve të saj më të shitura në SHBA. Megjithatë, kjo lëvizje nuk ka mjaftuar për të përmbysur trendin negativ, veçanërisht pas rënies së shitjeve në fillim të vitit 2025, e cila u lidh edhe me reagime negative ndaj rolit të Musk në administratën e presidentit amerikan Donald Trump.
Përveç Tesla-s, Elon Musk drejton edhe disa biznese të tjera të mëdha, përfshirë platformën X, SpaceX dhe The Boring Company. Angazhimi i tij paralel në drejtimin e Departamentit Amerikan të Efiçencës Qeveritare (Doge) ka ngritur pikëpyetje mes investitorëve mbi fokusin e tij në Tesla, megjithëse së fundmi Musk ka deklaruar se do të reduktojë ndjeshëm rolin e tij në qeveri.
Ndërkohë, BYD, megjithëse ka shënuar rritje të vazhdueshme vitet e fundit, pa një ngadalësim të ritmit të rritjes së shitjeve në vitin 2025, më i dobëti në pesë vitet e fundit. Kjo lidhet kryesisht me konkurrencën e ashpër në tregun kinez, që mbetet tregu kryesor i kompanisë.
Pavarësisht kësaj, BYD vazhdon të konsolidojë pozitat si një fuqi globale në sektorin e automjeteve elektrike. Strategjia e saj e çmimeve konkurruese dhe zgjerimi i shpejtë në tregje si Amerika Latine, Azia Juglindore dhe Evropa po japin rezultate, edhe pse shumë vende kanë vendosur tarifa të larta ndaj automjeteve elektrike të prodhimit kinez.
Në tetor, BYD bëri të ditur se Mbretëria e Bashkuar është kthyer në tregun e saj më të madh jashtë Kinës, me një rritje të shitjeve prej 880% deri në fund të shtatorit, e nxitur kryesisht nga kërkesa e lartë për versionin hibrid plug-in të modelit Seal U SUV.
Ndërsa gara globale për dominimin e tregut të automjeteve elektrike intensifikohet, përparimi i BYD-së sinjalizon një ndryshim të qartë të balancave, duke vënë prodhuesit perëndimorë përballë një konkurrence gjithnjë e më agresive nga Kina.











