Policia kufitare ka arrestuar dy shtats turq ditën e sotme në Rinas, pasi tentuan të kalonin me dokumenta të falsifikuara.
Sipas policisë gjatë kontrolleve janë arrestuar një 29 vjeçar dhe një 21 vjeçar, të dy me kombësi turke. Të rinjtë akuzohen për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falsifikimi i dokumenteve”, të kryera në bashkëpunim, dhe “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Njoftimi:
Goditet një rast i tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit me dokumente të falsifikuara.
Arrestohen në flagrancë dy shtetas turq.
Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas në bashkëpunim me Seksionit e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Rinas, gjatë kontrolleve të detajuara të dokumentacionit të shtetasve që hyjnë dhe dalin nga kjo pikë e kalimit kufitar, evidentuan dhe goditën një rast të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit me dokumente false.
Në përfundim të veprimeve hetimore, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
H.K., 29 vjeç dhe A. H., 21 vjeç, të dy me kombësi turke, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falsifikimi i dokumenteve”, të kryera në bashkëpunim, dhe “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Gjatë kontrollit të dokumentacionit në dalje, shtetasi H. K., i cili do të udhëtonte në itinerarin Tiranë–Luton, së bashku me shtetasin A. H., paraqiti një pasaportë greke, për të cilën shërbimet e Policisë Kufitare dyshuan se ishte e falsifikuar. Të dy shtetasit u kaluan në vijë të dytë për kontroll më të detajuar.
Gjatë kontrollit fizik dhe të bagazheve, shërbimet e Policisë i gjetën shtetasit H. K. një kartë identiteti dhe një leje drejtimi greke, të dyshuara si të falsifikuara. Gjithashtu, edhe pasaporta greke e paraqitur rezultoi e falsifikuar.
Ndërkohë, në çantën e shpinës së shtetasit A. H., shërbimet e Policisë gjetën një pasaportë turke me të dhënat e shtetasit H. K., e cila, pas ekzaminimit në laborator, rezultoi dokument i rregullt. Në bagazhet e shtetasit A.H., Policia gjeti një pasaportë greke, një kartë identiteti greke dhe një leje drejtimi greke me të dhënat e shtetasit Y. Y., të cilat, pas ekzaminimit paraprak në laborator, rezultuan të falsifikuara.
Materialet u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Policia Kufitare Rinas mbetet e angazhuar për garantimin e lëvizjes së lirë të shtetasve, menaxhimin e fluksit gjatë sezonit turistik, si dhe për evidentimin, parandalimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie.