Deputeti demokrat Saimir Korreshi, ashtu sikurse edhe kolegët e tij të opozitës, ka kërkuar praninë në sallë të ministres së Shëndetësisë, Evis Sala, duke ngritur shqetësimin se sistemi shëndetësor në vend po shkon drejt kolapsit.
Gjatë fjalës së tij, Korreshi nuk ka kursyer ironitë, duke kritikuar mungesën e përgjigjeve dhe neglizhencën e ministres ndaj problemeve që prekin drejtpërdrejt qytetarët, në një kohë kur shëndetësia po përballet me probleme serioze. Ai vuri theksin te vështirësitë që hasin qytetarët për të marrë shërbim, sidomos në urgjencë, ku sipas tij ka vonesa dhe mungesë koordinimi mes strukturave.
Deputeti demokrat solli në vëmendje edhe problematika konkrete nga spitalet, konkretisht nga ai i Lushnjes, duke theksuar mungesën e mjekëve specialistë dhe të materialeve bazë mjekësore, si pambuku apo dhe dorezat.
“Unë nuk doja ta përdorja te njerëzit e shtëpisë. Por i thoni asaj ministres së Shëndetësisë se çfarë ndodh në spitalet. 3 orë e gjysmë rri qytetari, vdes se nuk ka kardiolog. Ku ndodh kjo? A e dini që nuk ka as pambuk në Lushnjë, as dorashka? Pse t’i trajtojmë njerëzit si në stallë derrash atje”, tha Korreshi.
Pjesë nga fjala e deputetit:
E para është mirë ajo se duhet pyetur për shëndetin, pa mirë se interpelancat tona si keni futur. Po, është mirë se na keni bërë merak. A e di ajo që është ministre apo s’e di? Se nuk mund të braktiset Kuvendi kështu, nuk pret sëmundja siç thotë ministrja në fjalët e veta brenda këtij viti, brenda këtij viti. Nuk pret dhe po qe se nuk e dini ku është, ta shpallim në njerëz të humbur, ta kërkojmë rrugëve të Tiranës. Çfarë pune bën kjo ministrja e Shëndetësisë? Për të marrë sot urgjencën lidhet me Tiranën, pastaj kismet lidhet me Lushnjën, dhe ai i Lushnjës të merr.
Unë nuk doja ta përdorja te njerëzit e shtëpisë. Por i thoni asaj ministres së Shëndetësisë se çfarë ndodh në spitalet. 3 orë e gjysmë rri qytetari, vdes se nuk ka kardiolog. Ku ndodh kjo? A e dini që nuk ka as pambuk në Lushnjë, as dorashka? Pse t’i trajtojmë njerëzit si në stallë derrash atje? Na thoni ose njoftojeni që rroga i ka kaluar, i thoni që të ka kaluar rroga dhe hajde bëj punën.











