Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur në Stamboll, në zonën e njohur të Beşiktaş, ku ndodhet edhe Konsullata e Izraelit sot në 7 prill. Sipas burimeve zyrtare dhe raportimeve nga mediat lokale, të shtënat janë dëgjuar pranë ndërtesës së konsullatës, duke shkaktuar panik te qytetarët dhe një reagim të menjëhershëm nga forcat e sigurisë.
Menjëherë pas njoftimeve për të shtëna, në vendngjarje janë dërguar një numër i madh patrullash policore, njësi speciale dhe ekipe të emergjencës. Zona është rrethuar plotësisht dhe janë vendosur masa të rrepta sigurie për të parandaluar çdo rrezik të mëtejshëm për qytetarët dhe për të garantuar kontrollin e situatës.
Sipas informacioneve paraprake, një grup prej tre personash të armatosur rëndë ka tentuar të kryejë një sulm në afërsi të konsullatës. Ata raportohet se ishin të pajisur me armë automatike me rreze të gjatë veprimi, mbanin veshje kamuflazhi dhe çanta shpine, çka ka shtuar dyshimet për një sulm të planifikuar mirë. Forcat e policisë kanë ndërhyrë me shpejtësi, duke u përballur me agresorët në shkëmbim zjarri.
Gjatë përplasjes së armatosur, dy efektivë policie kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar menjëherë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Gjendja e tyre shëndetësore nuk është bërë ende plotësisht e ditur, por raportohet se janë jashtë rrezikut për jetën.
Nga ana tjetër, tre agresorët janë neutralizuar nga forcat e sigurisë. Sipas deklaratës së guvernatorit të Stambollit, Davut Gul, një prej tyre është vrarë në vend, ndërsa dy të tjerët janë kapur të plagosur dhe janë vënë në pranga. Autoritetet po punojnë për identifikimin e tyre dhe për zbardhjen e plotë të motiveve të këtij sulmi.
Ministri i Drejtësisë, Akın Gürlek, konfirmoi se menjëherë pas incidentit, Prokuroria e Stamboll ka nisur një hetim të gjerë dhe të detajuar. Sipas tij, një ekip i posaçëm i përbërë nga një zëvendësprokurorë dhe dy prokurorë është ngarkuar me çështjen dhe ka mbërritur në vendngjarje për të kryer hetimet fillestare.
Në deklaratën zyrtare thuhet se hetimet po zhvillohen në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha strukturat e sigurisë dhe inteligjencës, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e lidhjeve të mundshme terroriste dhe parandalimin e çdo sulmi të ngjashëm në të ardhmen.
Ndërkohë, zona e Beşiktaş vijon të mbetet nën masa të forta sigurie, me prani të shtuar të policisë dhe kontrolle të vazhdueshme. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonën dhe të ndjekin udhëzimet e forcave të rendit.











