Një 50-vjeçar është arrestuar në Shkodër në kuadër të operacionit policor të koduar “Muri i Lartë”, i zhvilluar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me BKH-në dhe nën drejtimin e SPAK.
Ndërkohë, vijon puna për kapjen e Indrit Dokles, i cili nuk u gjet në banesë gjatë kontrolleve.
Gjatë operacionit, në orët e para të mëngjesit, në banesën e tij në Shkodër u kap dhe u arrestua shtetasi Bledar Cafi, 50 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër.
Sipas Policisë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka caktuar më 25 shtator 2026 masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj 50-vjeçarit.
Ai dyshohet për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Në kuadër të të njëjtit operacion, policia ushtroi kontrolle për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit Endrit Dokle, alias Indrit Dokle 43 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë.
Sipas autoriteteve, 43-vjeçari është shpallur në kërkim që prej vitit 2024 dhe ndaj tij GJKKO ka caktuar gjithashtu masën e sigurisë “Arrest me burg” për vepra penale që lidhen me trafikimin e lëndëve narkotike dhe aktivitetin e një grupi të strukturuar kriminal.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara në kuadër të operacionit, ai nuk u gjet në banesë.
Policia e Shtetit bën me dije se vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.











