Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të lartë të gatishmërisë për të luftuar për vendin në mesin e anëtarëve të NATO-s, sipas një analize të publikuar nga “think-tanku” amerikan Foreign Policy Research Institute.
Të dhënat tregojnë se 69 për qind e shqiptarëve deklarojnë se do të ishin të gatshëm të luftonin për vendin e tyre, duke e vendosur Shqipërinë në vendin e dytë pas Turqisë (88 për qind), dhe përpara vendeve si Suedia, Finlanda dhe Mali i Zi.
Sondazhi, i realizuar nga Riga Stradins University në bashkëpunim me Center for Geopolitical Studies Riga, përfshiu mbi 31 mijë të anketuar në të gjitha vendet e NATO-s dhe ishte përfaqësues në nivel kombëtar për secilin shtet.
Në dhjetëshen e parë bëjnë pjesë edhe Greqia, Norvegjia, Lituania, Polonia dhe Sllovenia, ndërsa në fund të listës renditen vende si Italia, Sllovakia, Gjermania dhe Holanda.
Sipas analizës së studimit, nivelet e larta të gatishmërisë për të luftuar lidhen shpesh me perceptimin e kërcënimeve të jashtme dhe faktorë historikë e kulturorë.
Megjithatë, autorët theksojnë se përgjigjet në sondazhe nuk përkthehen gjithmonë në sjellje reale në rast lufte, pasi vendimet ndikohen nga faktorë të ndryshëm si situata konkrete, mbështetja e aleatëve dhe rrethanat personale.
Gjetjet tregojnë gjithashtu se brenda NATO-s ekzistojnë dallime të mëdha në perceptimin e rrezikut dhe në gatishmërinë e popullsive për të mbështetur vendet e tyre në rast konflikti.











