Diego Simeone foli pas barazimit 1-1 ndaj Arsenal në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Champions League, duke u ndalur te dëmtimet, rastet e humbura dhe vendimet e arbitrimit.
Trajneri i Atlético Madrid pranoi se Julián Álvarez do t’u nënshtrohet ekzaminimeve për të kuptuar shkallën e dëmtimit.
“Do të bëjë kontrolle për të parë çfarë ka. Shpresojmë të mos jetë asgjë serioze”, u shpreh Simeone.
I pyetur nëse është optimist për ndeshjen e kthimit në Londër, argjentinasi ishte i qartë:
“Unë jam gjithmonë optimist.”
Simeone foli edhe për gjendjen e Giuliano dhe Sorloth.
“Giuliano pati një përplasje me Hincapié në fillim të ndeshjes, një goditje në bel që e shqetësoi shumë. Shpresojmë të mos jetë asgjë serioze. Sorloth tha se ndiente shqetësim në këmbë gjatë nxehjes dhe u treguam të kujdesshëm për të mos e përkeqësuar situatën”, tha ai.
Sa i përket ndeshjes, Simeone nuk e lidhi rezultatin me fatin, por me mungesën e konkretizimit.
“Nuk besoj te ai lloj fati, besoj te finalizimi. Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, ndoshta ata kishin më shumë zotërim topi, por pati pak raste të pastra për të dyja skuadrat. Ata janë shumë të fortë, nuk kanë humbur asnjë ndeshje në Champions dhe janë në krye të Premier League. Në pjesën e dytë ne patëm mundësi për ta fituar ndeshjen, por nuk ishim mjaftueshëm të saktë në ato momente”, deklaroi trajneri i Atlético.
Simeone shpjegoi edhe ndryshimet që ndodhën pas pushimit.
“Ata ulën intensitetin dhe ne përmirësuam organizimin, gjë që na lejoi t’u hiqnim kohën për të rikuperuar topin. Nisëm të luanim më mirë në zonën e fundit dhe krijuam raste me Griezmann dhe Lookman, ku mund të kishim bërë më shumë”, shtoi ai.
Trajneri argjentinas nuk e fshehu pakënaqësinë për penalltinë e dhënë ndaj Hancko pas ndërhyrjes ndaj Gyökeres.
“Për të dhënë një penallti në një gjysmëfinale të Champions League, duhet të jetë vërtet penallti. Kontakti m’u duk minimal në episodin e pjesës së parë. Kishte kontakt nga pas, por lojtari po e priste kontaktin nga kundërshtari”, u shpreh Simeone.
Në fund, ai vlerësoi atmosferën në “Metropolitano”.
“Sot ishte e pabesueshme. Mbërritja në stadium ishte spektakolare. Mendoj se rrallëherë atmosfera ka qenë kaq intensive, sidomos në fillim të ndeshjes, kur kishim nevojë për tifozët tanë. Ata nuk do të jenë në ndeshjen e kthimit, por shpirti dhe zemra e tyre me siguri do të jenë me ne. Ishte një dhuratë nga tifozët për skuadrën dhe nga skuadra për tifozët, që arritëm në gjysmëfinalen e Champions League dhe jemi këtu ku jemi”, përfundoi Simeone.











