Aldi Talelli, taksisti 26 vjeçar që u arrestua për aksidentin tragjik tre ditë më parë në Durrës, do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Kështu kanë vendosur dje togat e zeza në qytetin bregdetar, për aksidentin që dyshohet se ndodhi nga pakujdesia.
I riu kishte ndaluar në rrugë kur taksia që ai drejtonte mori gaz dhe u fut në trotuar, ku përplasi një qytetar 66 vjeçar. Ai u dërgua me urgjencë në spital, por fatkeqësisht ndërroi jetë po atë ditë, si pasojë e plagëve të marra.
26 vjeçari po hetohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen. Qytetari Fezi Dine po ecte në trotuar kur taksia e përplasi në murin e një ndërtese duke e dëmtuar rëndë në gjymtyrët e poshtme.
Nga hetimet paraprake rezulton se aksidenti ka ndodhur nga pakujdesia e taksistit Aldi Talelli dhe 26 vjeçari akuzohet për veprën penale ” Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, parashikuar nga neni 290/3 i Kodit Penal.
Sipas kësaj dispozite, shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, kur ka shkaktuar vdekjen e një personi, dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet.
26 vjeçari ishte i pajisur me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të ushtruar profesionin e taksistit dhe lejen e drejtimit e kishte marrë vite më parë. Gjithashtu, ai nuk rezultoi as i dehur apo nën efektin e lëndëve narkotike, ndaj dyshimet janë dhe ngjarja ka ndodhur nga pakujdesia.











