Pas rritjes së fundit të çmimit të naftës në vend, e cila arriti deri në 198 lekë për litër brenda pak ditësh, ka reaguar edhe qeveria.
Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë deklaroi se një nga arsyet pse karburanti në Shqipëri rezulton më i shtrenjtë se në vendet e rajonit lidhet me mënyrën e aplikimit të taksës së qarkullimit. Sipas saj, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit ku kjo taksë paguhet në makina, në Shqipëri paguhet në naftë.
Delina Ibrahimaj: Ne kemi pasur disa komunikime të lidhura me si përbëhet çmimi i naftës dhe pse në Shqipëri kemi një çmim që është më i lartë se në vendet e tjera. Do doja në ndaloja në përbërjen e çmimit të naftës. Ajo që e ndikon çmimin është një diferencë e madhe që ne kemi ndërmjet çmimit të naftës në vend dhe rajon është taksa e qarkullimit e cila ndryshe nga vendet e e rajonit paguhet në naftë dhe jo në makina. Vendet e rajonit e paguajnë taksën në makina. Ne kemi gjykuar që taksa e qarkullmimit e paguar në naftë pasqyron më mirë realitetin, sese ato makina që qarkullojnë më shumë do të paguajnë më shumë taksa. Në një logjikë të qartë, kjo është arsyeja që taksën ta kemi në karburant dhe jo në makina.
Ministrja tha se situata do të monitorohet në vazhdimësi dhe do të merren vendimet e duhura. Ndërkohë ditën e sotme ministri i Financave, Petrit Malaj, zhvilloi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj, dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Besmir Beja, ku u dakordësua plani operacional për ngritjen e një Task Force të përbashkët mes dy institucioneve.
Kjo Task Forcë do të ketë në fokus rritjen e kontrollit dhe efikasitetit tatimor dhe doganor në sektorin e hidrokarbureve, si në tregtimin me shumicë ashtu edhe në atë me pakicë, në mënyrë që të shmangen rritjet abuzive të çmimit të tregtimit të karburanteve dhe duke mbrojtur kështu qytetarët shqiptarë.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, theksoi se ky plan operacional vjen edhe në kontekstin e zhvillimeve të fundit ndërkombëtare, të cilat kanë ndikuar në çmimet e hidrokarbureve.











