Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit në fshatin Toç, në zonën e Memaliajt, duke shkaktuar dëme materiale.
Sipas informacionit paraprak, rreth orës 00:10 të datës 6 prill 2026, në oborrin e banesës së një 67-vjeçari, me inicialet B. K., dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde plasëse. Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Pas ngjarjes, autorët dyshohet se janë larguar me automjet, të cilin më pas e kanë djegur në aksin rrugor “Krahës–Memaliaj”, në afërsi të fshatit Qesarat, dhe më pas janë larguar në këmbë.
Forcat e Policisë kanë ushtruar kontrolle në zonë për kapjen e autorëve, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e tyre.











