Përfaqësuesit e Transportit Interurban të qytetit të Vlorës kanë dalë këtë të hënë në një protestë, e cila u zhvillua në hyrje të qytetit, në rrugën që lidh aksin Transballkanike me autostradën e Vlorës.
Ata protestojnë për vendqëndrimin e ri të autobusëve interurban që është zhvendosur në hyrje të qytetit të Vlorës duke u larguar nga rruga e re ku ishte më parë.
Në fjalën e tyre për media, përfaqësuesit e transportit interurban thonë se “vendqëndrimi i ri nuk plotëson asnjë kush për të qenë një stacion urbani”.
Sipas tyre ‘në rrugën ku po qëndrojnë i rrezikohet edhe jeta për shkak se zbarkojnë pasagjerët dhe bagazhet në anën e rrugës duke u kthyer në burim aksidenti”. Ata thonë se protestën e tyre do ta vazhdojnë duke pezulluar aktivitetin derisa të merren masa.
Një nga kërkesat e tyre kryesore është ndërtimi i një terminali me kushtet maksimale, që u mundëson të vazhdojnë të punojnë të qetë.
Po ashtu ata komfirmojnë edhe faktin se vendi ku kanë qëndruar më parë është kthyer tashmë në një vend ku qëndrojnë taksitë dhe furgonat piratë të cilat ju marrin klientët.
Zhvendosja e vendqëndrimit të autobusëve, sipas tyre, penalizon aktivitetin pasi i ka larguar klientët. Ata zgjodhën që ta vazhdonin protestën duke mbajtur boritë e takuara përgjatë gjithë aksit të Transballkanikes, prej stacionit të ri ku janë vendosur dhe deri në fund.









