Është zbardhur numri i saktë i anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës që votuan pro kërkesës së socialistëve për shkarkimin nga detyra të Erion Veliajt.
Pavarësisht konesusit të gjerë opozitë-mazhorancë, vetëm 50 këshilltarë kanë votuar pro shkarkimit, nga 61 këshilltarë gjithsej që ka Këshilli Bashkiak.
Më konkretisht, zyrtarisht mësohet se në votim nuk kanë marrë pjesë: Joleza Koka, Eriona Bixho, Gazmend Paja, Eris Bejleri, Ervin Dushku, Aldo Merkoçi, Alfred Muharremi, Alba Kepi dhe Fabian Topollaj. Disa prej tyre nuk ishin fare në mbledhje, ndërsa disa të tjerë nuk morën pjesë në votim.
Po ashtu, nuk janë plotësuar ende vakancat as për Romina Kukon dhe Tedi Blushin, të cilët morën mandatin e deputetit dhe janë futur në Kuvend.
Pra, pjesa më e madhe nga emrat e mësipërm i përkasin mazhorancën dhe nga kjo rezulton se vota e opozitës ka qenë vendimtare për të përcaktuar “fatet” e Veliajt.
Me bashkimin dhe të Endrit Brahimllarit, Partia Socialiste ka 35 vota në Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe mjaftonin vetëm 5 prej tyre që të mos plotësonin shumicën prej 31 votash dhe Erion Veliaj do të ishte ende në detyrë.