Nga Katie Martin, Financial Times
Përfshirja e SHBA-ve në tregun e jenit japonez ngjan me një veprim të motivuar nga interesi i arsyeshëm vetjak.
Aventurat e Thesarit amerikan në tregun e jenit japonez mund të duken si diçka mjaft abstrakte — lloji i ngjarjes së “makroekonomisë së madhe” që i emocionon ata që ëndërrojnë të bëhen guvernatorë bankash qendrore dhe i lodh ata që jetojnë për të kuptuar mekanizmat e brendshëm të tregut valutor.
Në një nivel sipërfaqësor, kjo është gjithashtu diçka mjaft e thjeshtë dhe jo shumë kontroverse. Monedha e Japonisë ka rënë prej muajsh, me sa duket përtej nivelit që mund të justifikohet vetëm nga diferencat e normave të interesit në botë.
Japonia kërkoi ndihmë dhe SHBA-të, aleati i saj i palëkundur, ishte e gatshme ta ndihmonte: bleu jen, trembi spekulatorët dhe premtoi veprime të tjera të përbashkëta nëse tregu nuk sillet siç duhet.
E gjithë kjo mund të funksionojë madje — një gjë e rrallë në një treg që zakonisht e poshtëron këdo që përpiqet ta kontrollojë.
Deri këtu, gjithçka duket e thjeshtë: një shprehje bujare solidariteti nga SHBA-të dhe një kujtesë se, të paktën në periudhën afatshkurtër, kjo superfuqi mund të ndikojë edhe mbi monedhat — tregu më i madh në planet — dhe ta orientojë atë sipas vullnetit të saj.
Por në themel të gjithë kësaj qëndron një seri tensionesh që meritojnë vëmendje përtej rrethit të specialistëve të tregjeve valutore. E gjithë kjo histori prek në zemër disa nga kontradiktat dhe dobësitë kryesore ekonomike të SHBA-së, si dhe kufijtë e fuqisë së saj.
Mes vëzhguesve të tregjeve globale, pak janë bindur nga shpjegimi që SHBA-të kanë dhënë për përfshirjen e saj në një monedhë të një vendi kaq të largët.
Në një intervistë për Nikkei, sekretari i Thesarit Scott Bessent sugjeroi se blerjet e jenit që ai drejtoi kishin për qëllim të ulnin rrezikun e një krize më të gjerë valutore në Azi, duke thënë se “shumë monedha aziatike ndjekin jenin japonez”.
Është disi e tepruar të besohet se një krizë e ngjashme me atë të vitit 1998 ishte vërtet në horizont, por Bessent ka të drejtë kur thekson se disa nga monedhat kryesore aziatike kanë qenë në rënie prej kohësh.
Kit Juckes, analist i tregjeve valutore në Société Générale, vëren se Japonia, Kina dhe Koreja e Jugut së bashku përbëjnë rreth 18 për qind të tregtisë së SHBA-së, ndërsa monedhat e tyre janë zhvlerësuar me rreth 9 për qind gjatë dekadës së fundit.
Kjo përbën problem për SHBA-të në disa drejtime.
Njëri prej tyre është se monedhat e dobëta në Azi i bëjnë eksportet e rajonit shumë më të lira dhe importet nga SHBA-ja shumë më të shtrenjta. Dobësia e monedhave aziatike është paraqitur shpesh nga SHBA-ja si një formë avantazhi të padrejtë në eksport.
Por çdo përpjekje e drejtpërdrejtë dhe agresive për ta korrigjuar këtë situatë sjell kompromise shumë të dhimbshme, jo aq për Azinë sa për vetë SHBA-në.
Japonia, për shembull, mund ta forcojë ndjeshëm jenin në një nga dy mënyrat: përmes një rritjeje masive të normave të interesit në Japoni ose përmes shitjes masive të rezervës së saj të jashtëzakonshme të bonove të Thesarit amerikan.
Rritja e normave të interesit është e vështirë për arsye të politikës së brendshme, por edhe sepse do t’i bënte bonot qeveritare japoneze një investim më tërheqës për investitorët vendas dhe madje edhe globalë, krahasuar me bonot amerikane.
Ndërsa nëse Japonia do të rriste shitjet e saj tashmë të konsiderueshme të aktiveve amerikane, kjo do t’i shkaktonte dëm të drejtpërdrejtë SHBA-së, përmes uljes së çmimeve të bonove amerikane dhe rritjes së kostos së huamarrjes së SHBA-së.
Fakti është se, pavarësisht retorikës së fortë për tregtinë, mbrojtjen dhe gjeopolitikën, SHBA-ja ka nevojë për miq dhe aleatë.
Ajo ka nevojë që bota të blejë bonot e saj dhe nuk mund të përballojë që fuqitë e huaja t’i shmangin ato apo, aq më keq, t’i shesin.
SHBA-ja jeton me para të marra hua, duke tejkaluar ndjeshëm ekonomitë e tjera të zhvilluara për nga madhësia e deficitit të saj fiskal.
Në fillim të vitit të kaluar, Bessent ishte i qartë se rendimentet e ulëta të bonove ishin një objektiv kryesor për administratën e dytë Trump.
“Ku dreqin është rreziku i tregut?”, kishte thënë ai më vonë për Financial Times.
Në atë kohë kishte të drejtë — tregjet e bonove amerikane dukeshin mjaft optimiste, me koston bazë të huamarrjes 10-vjeçare të SHBA-së rreth 4 për qind.
Epo, rreziku i tregut tani është këtu.
Nuk kemi arritur në pikën e krizës, por ai është këtu gjithsesi. Kostoja e huamarrjes është tani rreth 4.6 për qind, ndërsa normat për bonot 30-vjeçare janë mbi 5 për qind për herë të parë që nga kriza e madhe financiare.
Kjo ndodh pjesërisht sepse janë shtuar dyshimet mbi gatishmërinë reale të Rezervës Federale për të luftuar inflacionin këmbëngulës përmes normave më të larta të interesit.
SHBA-ja vazhdon të gëzojë të ashtuquajturin “privilegj të tepruar”.
Investitorët po e vëzhgojnë me sy kritik kreun e ri të Fed-it, Kevin Warsh, për mënyrën e tij të çuditshme të komunikimit. Por pozita e privilegjuar e tij në qendër të monedhës rezervë ende dominuese në botë — dollarit — i jep një hapësirë veprimi që bankierët e tjerë qendrorë ende e shohin me zili.
Megjithatë, dobësimi i tregut të bonove të Thesarit që po zhvillohet tani sugjeron se investitorët po e vënë në provë si atë, ashtu edhe Bessent.
Japonia përfiton nga kjo ndërhyrje e përbashkët, jashtëzakonisht e rrallë, për të forcuar jenin.
Dobësia e monedhës së saj rrit çmimet e importeve dhe përkeqëson inflacionin. Nëse SHBA-ja mund të ndihmojë për ta ngadalësuar apo edhe ndalur rënien e jenit, kjo është një fitore për Japoninë.
Por përfshirja e SHBA-së në tregun e jenit ngjan më shumë me një veprim të motivuar nga interesi racional i vetë Amerikës.
Përfituesi i vërtetë këtu është SHBA-ja — një fakt që nënvizohet nga mënyra se si do të kryhen ndërhyrjet e ardhshme: ato do të kalojnë përmes një mekanizmi të Fed-it që kufizon shitjet e menjëhershme të bonove të Thesarit.
Në një nivel, kjo është një përpjekje bujare për të ndihmuar Japoninë në një moment nevoje.
Por efekti anësor i saj është se i kujton botës se ku ndodhet në të vërtetë pika e dobët, e brishtë, e fuqisë amerikane.











