Shtetet e Bashkuara pritet të shpallin të premten sanksione dytësore ndaj Rusisë, njoftoi një zyrtar amerikan për agjencinë Reuters, duke shtuar se Moska ka shprehur interes për të vijuar kontaktet me Uashingtonin.
Sipas të njëjtit burim, takimi midis të dërguarit special të presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, dhe presidentit rus Vladimir Putin në Kremlin, është konsideruar “i suksesshëm”.
Takimi vjen në një moment kritik, pas paralajmërimeve të Trump për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë nëse Moska nuk bie dakord për një armëpushim në Ukrainë.
Më herët gjatë së mërkurës, Donald Trump zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, menjëherë pas takimit të Witkoff me Putin.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se SHBA do të marrë një qëndrim zyrtar shumë shpejt lidhur me mundësinë e vendosjes së sanksioneve të reja ndaj Rusisë.
“Shpresoj që së shpejti të kemi disa njoftime për Rusinë – ndoshta pozitive, ndoshta jo,” u shpreh Rubio për gazetarët.
Ai shtoi se do të ketë bisedime të tjera me emisarin Witkoff gjatë së mërkurës, dhe premtoi më shumë detaje në orët në vijim.
Takimi Putin–Witkoff u zhvillua në Kremlin dhe zgjati rreth tre orë, sipas mediave ruse. Kremlini e përshkroi si një takim “të dobishëm dhe konstruktiv”.
Këshilltari i Kremlinit për çështjet e politikës së jashtme, Yuri Ushakov, konfirmoi se u shkëmbyen “sinjale” mes dy palëve:
“Marrëdhëniet janë të tensionuara, por takimi tregoi se ekziston vullneti për komunikim. Ne morëm disa sinjale nga Trump dhe dërguam edhe ne disa të tillë.”
Zhvillimet vijnë në një fazë kyçe të konfliktit në Ukrainë, me Shtetet e Bashkuara që duket se po i rishikojnë pozicionet e tyre në raport me Rusinë nën udhëheqjen e Trump.