Shtetet e Bashkuara kanë ofruar një shpërblim deri në 20 milionë dollarë për këdo që jep informacione mbi programin bërthamor të Iranit. Nisma është bërë publike nga Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane (CENTCOM), në kuadër të programit “Rewards for Justice” të Departamentit të Shtetit. Përveç shpërblimit financiar, informatorëve u ofrohet edhe mundësia e zhvendosjes dhe mbrojtjes së identitetit.
Uashingtoni kërkon informacione për objektet bërthamore iraniane, pajisjet dhe teknologjitë e përdorura, si dhe për personelin e përfshirë në program, përfshirë shkencëtarët dhe lëvizjet e tyre. Sipas autoriteteve amerikane, mungesa e bashkëpunimit të Teheranit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike ka penguar verifikimin e vazhdueshëm të rezervave dhe prodhimit të komponentëve të rëndësishëm, përfshirë centrifugat.
Njoftimi vjen në një moment tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa presidenti Donald Trump ka përsëritur se Irani nuk do të lejohet të zotërojë armë bërthamore. Ai ka pretenduar se sulmet amerikane kanë shkatërruar objektet kryesore bërthamore iraniane, por oferta e re për informacione tregon se autoritetet amerikane kërkojnë ende të dhëna të hollësishme mbi kapacitetet dhe personat e përfshirë në program.











