Departamenti Amerikan i Thesarit, përmes Zyrës për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) dhe Rrjetit për Zbatimin e Krimeve Financiare (FinCEN), në bashkëpunim me Qeverinë e Meksikës, ka ndërmarrë një operacion të gjerë kundër Grupit të Krimit të Organizuar Hysa (HOCG) dhe një numri të madh biznesesh të bazuara në Meksikë, të përfshira në pastrim parash dhe aktivitete të tjera kriminale që lidhen me kartelet e drogës.
Ky veprim i koordinuar vjen si rezultat i angazhimeve të fundit SHBA-Meksikë për të forcuar bashkëpunimin në luftën kundër trafikut të drogës dhe krimeve financiare, të arritura gjatë vizitës së Nënsekretarit amerikan për Inteligjencën Financiare dhe Luftën kundër Terrorizmit, John K. Hurley.
“Shtetet e Bashkuara dhe Meksika po bashkëpunojnë ngushtë për të ndaluar pastrimin e parave në sektorin e lojërave të fatit në Meksikë. Mesazhi ynë për ata që mbështesin kartelet është i qartë: do të mbaheni përgjegjës”, – deklaroi Hurley, duke falënderuar qeverinë meksikane për partneritetin.
27 individë dhe kompani të sanksionuara
OFAC ka shpallur sanksione ndaj 27 personave dhe entiteteve, ndërsa FinCEN ka propozuar masa për të shkëputur 10 kazino meksikane nga sistemi financiar amerikan për shkak të dyshimeve për pastrim parash.
Grupit Hysa i akuzohet për lidhje me Kartelin Sinaloa
Sipas njoftimit, Grupi i Krimit të Organizuar Hysa, që përfshin anëtarët e familjes shqiptare me bazë në Meksikë dhe Kanada — Luftar Hysa, Arben Hysa, Ramiz Hysa, Fatos Hysa dhe Fabjon Hysa — ka përdorur investimet e veta në biznese, përfshirë kazino dhe restorante luksoze, për të larë të ardhurat e trafikut të drogës.
Autoritetet amerikane theksojnë se grupi vepron me miratimin e Kartelit Sinaloa, që kontrollon pjesën më të madhe të territorit ku zhvillojnë aktivitetet.
Luftar Hysa, i njohur publikisht për pronësinë e disa bizneseve në Meksikë dhe Europë, është përmendur si figurë qendrore në rrjetin e pastrimit të parave, në bashkëpunim me një shtetas amerikan.
Bizneset e përfshira
Mes kompanive të goditura janë:
- Entretenimiento Palmero S.A. de C.V., në pronësi të Arben Hysa-s, që konsiderohet si qendra e operacioneve të grupit;
- Bliri S.A. de C.V., Cucina Del Porto S.A. de C.V., Diversiones Los Mochis S.A. de C.V., Rosetta Gaming S.A. de C.V., Hysa Holdings Inc. (Kanada) dhe Rosetta Gaming SP ZOO (Poloni).
Në listë përfshihet edhe Eselda Baku (ish-Hysa), vajza e Ramiz Hysa-s, që shërben në bordin drejtues të njërit prej bizneseve.
Pasojat e sanksioneve
Të gjitha pasuritë dhe interesat e personave dhe kompanive të sanksionuara që ndodhen në SHBA ose në pronësi të personave amerikanë janë bllokuar.
Personat apo kompanitë amerikane ndalohen të kryejnë transaksione me subjektet e listuara, dhe shkeljet mund të sjellin ndëshkime civile ose penale.
10 kazino të shkëputura nga sistemi financiar amerikan
Në të njëjtën kohë, FinCEN ka propozuar masa të posaçme kundër 10 kazinove që konsiderohen si “me rrezik të lartë për pastrim parash”, përfshirë:
Emine Casino (Sonora), Casino Mirage (Sinaloa), disa filiale të Midas Casino në qytete të ndryshme, Palermo Casino (Nogales), dhe Skampa Casino (Baja California dhe Tabasco).
Këto biznese, sipas hetimeve, kanë shërbyer për pastrimin e parave të kartelit Sinaloa ndër vite.
Masat e reja do të ndalojnë institucionet financiare amerikane të kryejnë transaksione ose të hapin llogari korrespondente që lidhen me këto kazino, duke synuar izolimin financiar të rrjetit të Hysajve.
Ky është një prej veprimeve më të mëdha të përbashkëta SHBA–Meksikë kundër pastrimit ndërkombëtar të parave, që përfshin një rrjet të gjerë biznesesh dhe individësh me lidhje në Meksikë, Europë dhe Amerikën e Veriut.











