Legjenda braziliane Ronaldinho ka bërë një deklaratë të jashtëzakonshme për Lionel Messin, duke e quajtur argjentinasin futbollistin më të madh të të gjitha kohërave.
Në një intervistë të fundit në podcast, ish-ylli i Barcelonës dhe Brazilit u shpreh se shumë njerëz e konsiderojnë atë si “mësuesin” e Messit, por sipas tij e vërteta është krejt ndryshe: për Ronaldinhon, është Messi ai që i ka mësuar futbollin botës.
“Kur Messi ishte në Paris dhe luajti kundër Manchester Cityt në Champions League, e takova para ndeshjes, e përqafova dhe i thashë: ‘Më bëre krenar te Barcelona, i solle gëzim gjithë botës dhe je më i miri.’ I thashë se atë ditë do ta shikoja nga tribuna dhe se do të më bënte sërish krenar para tifozëve të tij. Ai m’u përgjigj: ‘Është nder i madh për mua që ke ardhur. Nëse shënoj, goli do të jetë për ty.’ Pastaj hyri në fushë dhe shënoi një gol të bukur. Pjesa më prekëse ishte kur disa tifozë u kthyen nga unë dhe më uruan, sikur ai të ishte djali im. Kjo më bëri të buzëqesh dhe u ndjeva krenar. Disa thonë se unë jam mësuesi i tij, por në të vërtetë Messi është mësuesi dhe unë jam nxënësi. Të gjithë futbollistët janë nxënës të Messit, sepse mësojnë futboll prej tij,” u shpreh Ronaldinho.
Ronaldinho dhe Messi kanë luajtur së bashku te Barcelona nga viti 2005 deri në vitin 2008, para se braziliani të largohej drejt Milanit. Gjatë asaj periudhe, Ronaldinho ishte një nga figurat më të rëndësishme në hapat e parë të Messit në futbollin profesionist.
Edhe vetë Messi ka treguar në disa intervista se, kur nisi të futej në ekipin e parë të Barcelonës, Ronaldinho ishte një mentor i vërtetë për të dhe e ndihmoi shumë të përshtatej me futbollin e madh.
Në vitin 2018, pas tre vitesh larg fushave, Ronaldinho njoftoi tërheqjen përfundimtare nga futbolli. Klubi i tij i fundit ishte Fluminense në Brazil.
Deklarata e tij për Messin është një tjetër dëshmi e respektit të madh që ekziston mes dy ikonave të Barcelonës dhe futbollit botëror.











