Një situatë e vështirë ka përfshirë disa akse rrugore në Qarkun e Shkodrës gjatë orëve të fundit, ku reshjet e breshërit dhe dëborës kanë krijuar vështirësi të konsiderueshme në qarkullimin e automjeteve.
Sipas një njoftimi zyrtar nga Prefekti i Qarkut Shkodër, disa familje, përfshirë edhe fëmijë, kanë mbetur të bllokuara në segmente të ndryshme rrugore. Problemet janë evidentuar në aksin nga zona e Bunit të Bajraktarit deri në zbritje drejt qytetit të Koplikut.
Aktualisht, mbi 200 mjete po përpiqen të lëvizin drejt Koplikut, ndërsa reshjet e breshërit dhe dëborës të alternuara me ngrica e kanë bërë qarkullimin të vështirë dhe të rrezikshëm.
Në këtë kuadër, qytetarëve u është kërkuar që të shmangin lëvizjet e panevojshme në akset problematike, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë.











