Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po vijon investimet për transformimin dhe rritjen e kapaciteteve, në një kohë kur fluksi i udhëtarëve ka shënuar rekorde të reja.
VIDEO KETU
Sipas të dhënave të publikuara nga TIA, në 10 ditët e para të nëntorit kanë udhëtuar rreth 300 mijë pasagjerë. Rekord është shënuar më 1 nëntor, kur 38 670 pasagjerë kanë mbërritur ose janë nisur nga Tirana përmes 226 fluturimeve.
Për përballimin e flukseve në rritje, aeroporti po investon 40 milionë euro në transformimin e infrastrukturës. Punimet, të cilat zhvillohen nga 9 deri më 27 nëntor, janë organizuar në 12 net, me qëllim që aktiviteti i fluturimeve të mos ndërpritet gjatë ditës.
Në kantier janë angazhuar 380 punonjës, mes tyre 50 inxhinierë, ndërsa për realizimin e punimeve janë vënë në dispozicion 130 kamionë, 12 ekskavatorë, 30 betoniere dhe impiante moderne asfalti.
TIA synon që përmes këtij investimi të përballojë kërkesën në rritje dhe të krijojë kapacitete më të mëdha për numrin e udhëtarëve në të ardhmen.











