Real Madrid ka bërë zyrtarisht një ofertë prej 150 milionë eurosh për Julián Álvarez. Dy ditë pas rizgjedhjes si president, Florentino Pérez vendosi këtë shumë në tavolinë për sulmuesin argjentinas, por përgjigjja e Atletico Madrid ishte e menjëhershme dhe e prerë: jo.
Klubi madrilen konfirmoi lëvizjen përmes një komunikate zyrtare, duke bërë të ditur se oferta ishte paraqitur pas mbledhjes së Bordit Drejtues.
Komunikata e Real Madrid:
“Real Madrid njofton se, pas mbledhjes së Bordit Drejtues të zhvilluar sot, ka bërë një ofertë prej 150 milionë eurosh për Atletico Madrid për të drejtat federative të Julián Álvarez.
Pas studimit dhe vlerësimit të saj, Atletico Madrid falënderoi për ofertën, të bërë në kuadër të marrëdhënieve të mira që ekzistojnë mes dy klubeve, dhe e refuzoi atë, duke iu referuar klauzolës së lojtarit.”
Por reagimi i Atletico Madrid nuk vonoi. Fillimisht, klubi “rojiblanco” u përgjigj në rrjetet sociale vetëm me pesë emoji të qeshurash, duke ironizuar komunikatën e Real Madrid, sidomos pjesën ku përmendeshin “marrëdhëniet e mira” mes dy klubeve.
Pak më vonë, Atletico publikoi edhe një deklaratë zyrtare shumë të ashpër.
Komunikata e Atletico Madrid:
“Komunikatë zyrtare me sqarimet tona në lidhje me komunikatën zyrtare të fqinjëve tanë:
Videoja e Papës ku thoshte se ishte edhe tifoz i Atletico Madrid është ndërprerë.
Mund ta keni ngatërruar mirësjelljen me falënderim, por për të qenë të qartë: ne nuk ju falënderojmë për asgjë.
Ne nuk marrim në konsideratë dhe nuk vlerësojmë asnjë ofertë për Julián.
Si të mos shkojmë mirë, kur na bëni të qeshim edhe më shumë se Barcelona?”
“PS: Duke përfituar nga marrëdhënia e mirë me presidentin tuaj të ri, shikoni nëse mund të ndaloni së ‘vjedhuri’ lojtarë nga akademia jonë. Faleminderit shumë, Real Madrid!”
Atletico Madrid i është referuar klauzolës së lirimit të Julián Álvarez, e cila është 500 milionë euro. Për klubin e Simeone, vetëm kjo shifër mund të hapë derën e largimit të argjentinasit.
Lëvizja e Real Madrid është e pazakontë, pasi rrallë ndodh që një klub të bëjë publike një ofertë të tillë dhe në të njëjtën kohë të njoftojë edhe përgjigjen e klubit tjetër. Por kjo lidhet me premtimin elektoral të Florentino Pérez, i cili kishte deklaruar se do të bënte një ofertë rekord për një lojtar të një klubi të madh të Champions League.
Nëse operacioni do të realizohej, Julián Álvarez do të bëhej blerja më e shtrenjtë në historinë e Real Madrid dhe në futbollin spanjoll. Megjithatë, për momentin gjithçka duket e mbyllur: Real Madrid ofroi 150 milionë euro, Atletico Madrid refuzoi, qeshi dhe kundërsulmoi.











