Kapiteni i Barcelonës dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm të Brazilit, Raphinha, ka folur hapur për mundësinë që Neymar të jetë pjesë e kombëtares braziliane në Botëror, duke treguar mbështetje të plotë për rikthimin e tij.
Pas ndeshjes së fundit, gjatë intervistës së shpejtë pas takimit, Raphinha u pyet nëse dëshiron që Neymar të jetë me Brazilin në Kupën e Botës. Sulmuesi 29-vjeçar nuk la vend për dyshime dhe e bëri të qartë se e konsideron Neymarin një figurë thelbësore për Seleçaon.
Raphinha theksoi se Neymar është një futbollist i jashtëzakonshëm, i aftë të bëjë diferencën në momentet më të rëndësishme dhe madje të vendosë fatin e një ndeshjeje apo të një turneu të madh si Botërori.
“Po, shpresoj shumë. Ai është një djalë i mrekullueshëm. Askush nuk dyshon te cilësitë e tij apo te aftësia që ka për të vendosur fatin e një ndeshjeje — ai mund të vendosë edhe fatin e një Botërori. Si tifoz i Neymarit, si brenda ashtu edhe jashtë fushës, shpresoj ta shoh sërish në kombëtare, gati për të garuar në këtë Botëror bashkë me ne. Në këto miqësore ai nuk ka nevojë t’i provojë askujt talentin e tij apo atë që mund t’i japë Brazilit. Besoj se në ditën e fundit, kur të dalë lista përfundimtare, ai do të jetë me ne,” u shpreh Raphinha.
Aktualisht, Ancelotti ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për grumbullimin e Neymarit për Botërorin e ardhshëm, por nga deklarata e Raphinhas kuptohet qartë se prania e tij në skuadër pritet me shumë dëshirë jo vetëm nga tifozët, por edhe nga vetë futbollistët brazilianë.











