Kryeministri i vendit ka hedhur poshtë me forcë akuzat për rritje të korrupsionit, duke argumentuar se një gjë e tillë është në kundërshtim të plotë me rritjen ekonomike dhe rritjen e pagave e pensioneve. Gjatë një fjalimi, ai ka paraqitur shifra nga turizmi dhe financat publike si “fakte” që, sipas tij, dëshmojnë të kundërtën e narrativës së opozitës.
Duke folur për suksesin në turizëm, kreu i qeverisë theksoi se vitin e kaluar vendi priti 12 milionë turistë të huaj. Ai bëri një dallim të qartë me të kaluarën, duke u shprehur se statistikat aktuale bazohen vetëm në numërimin e pasaportave të huaja dhe jo të shtetasve shqiptarë që kthehen në atdhe. Me ironi, ai kujtoi kohën kur “edhe unë me Kujtimin kur dilnim jashtë shtetit”, numëroheshim si turistë pas kthimit.
Argumenti kryesor i fjalimit ishte lidhja e drejtpërdrejtë mes korrupsionit dhe shëndetit ekonomik të vendit. Kryeministri i cilësoi pretendimet për një nivel të lartë korrupsioni si një “gënjeshtër shumë e madhe”.
“Po të ishte rritur korrupsioni, nuk rritej ekonomia. Po të ishte rritur korrupsioni, nuk rriteshin pagat dhe pensionet, sepse nuk do ishin rritur të ardhurat në arkën e shtetit ashtu siç janë rritur,” deklaroi ai.
Sipas tij, një rritje e korrupsionit do të pengonte gjithashtu rritjen e numrit të përfituesve nga garat dhe fondet publike, duke sugjeruar se transparenca më e madhe ka sjellë rezultate pozitive.
Në përfundim, kryeministri e refuzoi me neveri atë që e quajti “narrativa e vjedhjes dhe korrupsionit”, duke këmbëngulur se ndryshimet e mëdha të ndodhura në vend nuk do të ishin të mundura nëse akuzat do të ishin të vërteta. Megjithatë, ai pranoi se ka ende shumë punë për të bërë, duke justifikuar kështu vazhdimin e përpjekjeve të qeverisë.
PJESË NGA FJALA E RAMËS
Po vjen edhe si rezultat i rritjes së turizmit që e kemi filluar me 2 milionë e ca turistë, ku për turistë na numëroshin dhe mua me Kujtimin kur dilnim jashtë shtetit.
Sa herë kthehesh Kujtimi nga ato vizitat bilaterale me komunat e Italisë, e numëroheshin për turist, u kthye turisti Kujtim Qefalia. Bashkë me të gjithë të tjerët, kuptohet.
Ne nuk numërojmë pasaportat shqiptare që hyjnë në Shqipëri. Ne numërojmë vetëm pasaportat e huaja. Dhe vjet kemi numëruar 12 milionë. Tani, të gjitha këto janë fakte.
Nuk janë të mjaftueshme për çfarë duam të bëjmë, po janë fakte.
Dhe nuk mund të çohet askush edhe të thotë me plot gojën është rritur korrupsioni dhe s’ka qenë kurrë korrupsioni siç është sot, sepse kjo është një gënjeshtër shumë e madhe.
Se po të ishte rritur korrupsioni, nuk rritej ekonomia. Po të ishte rritur korrupsioni, nuk rriteshin pagat dhe pensionet, se nuk do ishin rritur të ardhurat në arkën e shtetit ashtu siç janë rritur.
Po të ishte rritur korrupsioni, nuk do rritej numri i përfituesve nga garat publike, të fondeve publike e të tjera e të tjera. Dhe unë e refuzoj me neveri këtë narrativë që nuk kanë as, nuk dinë të thonë asgjë tjetër, s’dinë të bëjnë asgjë tjetër po vjedhje, vjedhje, vjedhje, korrupsion, korrupsion, korrupsion.
Po të ishte kështu dhe të ishin të vërteta këto, nuk do ndodhnin ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në të gjitha drejtimet. Nuk do ndodhnin. Patjetër që ne kemi akoma plot për të bërë dhe prandaj jemi këtu.











