Pas rreth 7 orësh diskutime në Pogradec, kryeministri Edi Rama ka dhënë detaje mbi temat e trajtuara në takimin me drejtuesit politikë të qarqeve.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama tha se mbledhja u zhvillua në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri politik, ndërsa në fokus ishin dokumentet “Besa” dhe “Prania Besnike”, por edhe mënyra se si qeveria do të komunikojë me qytetarët.
Një pjesë e diskutimeve sipas tij iu kushtua edhe “Pasqyrë Albania”, platformë që, sipas Ramës, do të synojë të bashkojë në një hapësirë të vetme shërbimet dhe institucionet shtetërore.
Kryeministri tha se synimi është që qytetarët të mos kenë thjesht mundësi të paraqesin një kërkesë, por edhe të ndjekin në kohë reale se ku ndodhet ajo dhe cili institucion është përgjegjës për trajtimin e saj.
Në fokus, sipas tij, do të jetë edhe evidentimi i rasteve kur institucionet nuk përmbushin në kohë detyrimet ndaj qytetarëve.
“Nga Pogradeci, kur dielli po perëndon mbi liqen, aty ku Lasgushi gjente frymëzimet e veta magjepsëse dhe aty ku ne u përpoqëm të mbledhim së bashku reflektimet e një periudhe pushimesh aktive, të lidhur me sezonin e ri politik, kemi diskutuar për “Besën”, kemi diskutuar për praninë besnike; kemi diskutuar për ekosistemin e ri të komunikimit të qeverisë, jo në kuptimin thjesht të komunikimit publik, por të komunikimit me qytetarin; kemi diskutuar edhe për pasqyrën unike, “Pasqyrë Albania”, ku qytetarët do të kenë të pranishme të gjitha institucionet dhe ku ambicia është që, më herët se vonë, të arrijmë pikën që çdo kërkesë, çdo shqetësim, çdo hall i qytetarit drejtuar institucioneve të jetë si një pako postale, statusi i së cilës ndiqet në kohë reale nga dërguesi dhe, nga ana tjetër, shteti, qeveria, institucionet ndjekin përgjegjësitë dhe çdo shkelje afati shihet me lupë.”, tha Rama.
Të hënën pritet që të raportojnë ministrat për punën e bërë. Nuk përjashtohet mundësia e thirrjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së pasi në qeveri mund të ketë ndryshime.











